Politike

Basha: 25 Prilli, fundi i të keqes. Distancohem nga dhuna e Ramës dhe Policisë

Pas gjashtë ditë protestash, kryetari i PD-së, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp në 10 vjetorin e liberalizimit të vizave. Basha u ndal gjatë në këtë çështje, duke theksuar arritjet e qeverisë “Berisha”.  Basha tha se. “Rama për 7 vite premtoi të rimëkëmbë ekonominë, nuk bëri asgjë për njerëzit, nuk tha asnjë ndihmë për qytetarët dhe se ka miratuar një buxhet vetëm për oligarkinë”.

Basha tha se qeveria ka marrë 1.1 miliard euro borxh vetëm këtë vit. Sipas tij, ai ka vetëm një strategji: fajëso të tjerët. Basha u ndal më pas tek debati i ditës

“3 ditë në rrugët e Nju Jorkut, nuk gjeti 1 minutë kohë të ngushëllojë familjen Rasha. Gjuha e dhunës e Ramës nxiti reagimet e shqiptarëve. Heshti 3 ditë për të manipuluar vrasjen nga policia. Fajësoi viktimën për të shpëtuar ekzekutorin”, tha ai. Sipas tij, Rama nuk reflektoi, thjesht po përpiqet të shpëtojë.

“Korrigjimi i vetëm i Ramës, largimi i tij. Boll është boll! Nuk ka rrugë me Edj Ramën! Shqipëria nuk e përballon edhe 1 ditë më shumë këtë regjim…Largimi i regjimit, hapi i parë drejt ndryshimit…Deri më 25 prill, përgjegjësia e Edi Ramës për shëndetin dhe ekonominë. E di se sytë janë drejtuar nga Partia Demokratike. Përgjegjësia jonë jo vetëm denoncimi, edhe alternativa. Shkoi për vaksinën në Nju Jork, erdhi duarbosh. Kam marrë zotime nga miqtë e huaj për furnizim me vaksinë…”, tha ai.

25 prilli, sipas tij, do t’i japë fund kësaj të keqeje. “Deri më 25 prill, presion që paratë të përdoren për krizën… Anija e Edi Ramës po fundoset. Edi Rama po vjedh ç’të mundë, sepse po ik”, tha ai. Më tej, Basha u pyet nëse distancohet nga dhuna gjatë protestave. Por Basha tha se distancohet vetëm nga dhuna e Ramës dhe e policisë. Basha premtoi se, “brenda gjashtë muajsh pas 25 prillit do të ketë reformim të policisë”  

Kreu i PD-së tha se kjo është protesta e të rinjve shqiptarë dhe se PD-ja i mbështet. Basha nënvizoi se, “kurrë nuk do sakrifikojë jetë njerëzish për të ardhur në pushtet” . I pyetur për deklaratën e Ramës se nuk e largon Ardi Veliun edhe po ti dalin 500 mijë në shesh, Basha u përgjigj: “Zoti e ruajt nëse në shesh dalin 500 mijë vetë ai e di mirë se çfarë pret por t’i thërrasë mendjes”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë