Politike

Basha: 3 përfaqësues të bandave në listat e PS-së në Durrës, Rama i mbron

Lulzim Basha akuzon Edi Ramën se për shkak të aleancës që ka bërë me krimin po pengon zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Në Durrës, vetëm në Durrës janë tre emra përfaqësues të bandave të Durrësit. Në Elbasan po kështu e kudo ju e patë në Ditën e Verës që j’ua prishi qytetarëve të Elbasanit sepse ndonëse kontrollon gjithçka e ndjen humben që e pret dhe mendon se mund të fshihet apo mund të trimërohet vetëm në praninë e bandave, e ka shumë gabim. Qeverisja jonë do të jetë një qeveri e njerëzve me integritet, një qeveri e njerëzve që do të përkushtohen vetëm për t’ju shërbyer qytetarëve të tyre”, thotë Basha.

Kreu i PD-së deklaron se nuk mund të ketë shkëputje të politikës nga krimi përsa kohë Kryeministër është Edi Rama. Ai shton se me të ardhur në pushtet, përveç këputjes së këtyre lidhjeve, do të kryejë edhe vettingun në politikë.

“Nuk mund të ketë fytyrë njerëzore as kryeministri i ardhshëm, as qeveria e ardhshme nëse është peng i krimit. Prandaj është e domosdoshme të ndahemi nga Edi Rama dhe nga aleanca e tij me krimin, të votojmë për ndryshimin dhe pa diskutim Partia Demokratike dhe unë qëndrojmë garant për të bërë realitet zotimet tona dhe propozimet tona duke përfshirë vetingun e politikanëve në mënyrë që t’ia kthejmë politikën njerëzve, të kthejmë një politikë me fytyrë njerëzorë ,e cila ka preokupim kryesor t’ju shërbejë njerëzve dhe jo ta shkatërrojë e ta zhvat vendin siç ka ndodhur në këto 8 vite”, thotë kreu i opozitës.

Basha hodhi poshtë akuzat se në listat e PD-së ka persona që ndalohen të kandidojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Kreu i PD-së nuk përjashton mundësinë që nëse fiton në zgjedhjet e 25 prillit, ministrat e kabinetit të tij qeveritar të heqin dorë nga mandati i deputetit.

“Këto janë çështje të cilat nuk i takojnë momentit ku ndodhemi. Sot e rëndësishme është që të jemi të gjithë bashkë dhe unë ju garantoj se do të marr çdo vendim dhe do të ndërmarr çdo hap që garanton transparencë, garanton llogaridhënie të çdo deputeti apo ministri të ardhshëm në qeverinë time para qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.

Sipas Bashës, zgjedhja që duhet të bëjnë shqiptarët nuk është mes tij dhe Edi Ramës si person, por mes zhvillimit dhe rrugës europiane të vendit deri në anëtarësim të plotë në BE dhe korrupsionit, zhvatjes e keqqeverisjes, që sipas tij, ka karakterizuar qeverisjen e Edi Ramës në dy mandate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë