Propozimi i mazhorancës për të ndërhyrë me disa ndryshime në ligjin kundër pastrimit të parave të pista dhe financimin e terrorizmit nxiti Lulzim Bashën që nga foltorja e Kuvendit të akuzonte socialistët se ata nuk mund ta udhëheqin këtë betejë, pasi janë vetë të përfshirë.
“Te të gjithë ata që e njohin mirë realitetin e përditshëm të Shqipërisë, qofshin shqiptarë apo të huaj, ata e që kanë parë e shohin përditë se si gjatë sundimit të kësaj pseudo-mazhorance, institucionet u gangsterizuan, llumi i shoqërisë u fut lirshëm në parlament e bashki, krimi i organizuar ka sekserët e tij në nivelet më të larta të qeverisë, në mendjet e të gjithëve. Pra lind rrufeshëm pyetja: a mund të jenë po këta që propozojnë masa për parandalimin e pastrimit të parave?”, tha kreu i PD.
Basha tha se propozimi bëhet nga po të njëjtët që sipas tij kanabizuan vendin me urdhër politik. Duke cituar raporte ndërkombëtare të Këshillit të Europës, Departamentit të Shtetit dhe Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, kreu i PD-së tha se pastrimi i parave po bëhet kryesisht në ndërtim.
“Rreth 60 për qind e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”, vijoi ai.
Kreu i PD-së përfshiu në akuzat e veta edhe drejtësinë dhe institucionet e reja të saj, të cilat tha se po zbatojnë një kod heshtje të ngjashëm me kodin mafioz Omerta.
“Kjo omerta po prodhon një ekonomi të droguar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që prodhon një rritje fiktive në letër, pa vende pune, pa fuqi blerëse, pa mirëqenie përveç mishngrënësve të Nusretit dhe Kryeminstrit me avion privat qeveritar e një grushti oligarkësh. Fundi i kësaj omerta-je, e përsëris dhe do ta përsëris derisa SPAK qilimkuqit t’i dalin për së mbari kicat, pret që drejtësia të mos fshihet pas gishtit, por të hapë sytë. Parave të pista që kjo qeveri lejon, e që heshtja e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera legjitimon, me hetimet që nisen e nuk bitisen”, u shpreh ai.
Këto janë arsyet, sipas Bashës, se përse nisma e propozuar prej tij për vetting në politikë është e domosdoshme.
“Duke pastruar këtë sallë nga të gjithë ata që bëhen pengesë e zhvillimit normal politik, ekonomik dhe social të vendit për shkak të të abuzimeve që kanë kryer duke shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke pasuruar veten, në dëm të qytetarëve të shtetit më të varfër të Europës”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje