Politike

Basha: Anëtarësoj Shqipërinë në BE brenda 6 viteve

Lulzim Basha premton anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda gjashtë viteve nëse merr mandatin për të qeverisur vendin më 25 prill.

“Brenda vitit të parë të qeverisjes do të kemi nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Ju garantoj se në procesin e integrimit do të ecim me të njëjtën shpejtësi si Sllovenia dhe Kroacia”, deklaroi ai.

Kreu i PD foli në emisionin opinion. Ai vetë nuk përmendi afate, por nëse do t’i referohemi kohës që iu desh Kroacisë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të BE-së, ajo është gjashtë vite. Kroacia çeli negociatat e anëtarësimit në vitin 2005 dhe në vitin 2011 udhëheqësit e BE miratuan anëtarësimin e saj të plotë.

Basha fajësoi Edi Ramën se në 8 vite jo vetëm që nuk ka hedhur një hap në drejtim të integrimit të vendit në BE, por ka bërë hapa pas. Kreu i PD mbrojti taksën e sheshtë 9 për qind si më të ndershmen për shoqërinë dhe akuzoi Ramën se u ka dhënë 2.2 miliardë euro të ashtuquajturve oligarkë.

“Ata janë një grusht njerëzish të cilët nuk i gjen pothuajse kurrë. Kjo është shumë e rëndësishme se ata rrallë herë i gjen më larg se 10 minuta larg Kryeministrit, të Këtij kryeministri. Ata janë ortakët e kryeministrit, ata kanë marrë vetëm kontrata publike 2.2 miliardë euro. Pra një grusht njerëzish të cilëve ti u jep koncesione, PPP-ra, ti ju jep tendera me çmimin pesëfish të punës që duhet të kryejë mos ja qaj hallin e tij që ky po ju merka taksa, sepse ai 15% që pretendon që i merr, ja jep 50 herë, 100 herë më shumë përmes aferave, e para”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë