Pas largimit të kryeprokurores së Tiranës nga ambientet e selisë blu, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka ftuar median që të njihet në cdo zyrë me pasojat e protestës së zhvilluar nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij.
Basha nuk i fshehu notat euforike dhe mbajti qëndrimin e një “fitimtari” nga gjithë katrahura në të cilën u përfshi selia e PD-së.
Lulzim Basha akuzoi rëndë Sali Berishën, ai tha se ky i fundit me ditën e së shtunës kishte firmosur për largimin e tij nga politika dhe jo thjesht nga PD-ja, tha se nuk do të ketë marrëveshje me të porse do të reflektonte (ashtu sic u shpreh në fakt edhe dy ditë më parë) mohoi cdo mjet e gaz lotsjellës që doli brenda selisë blu kur ajo u sulmua nga disa mbështetës të Berishës, mohoi madje të kish instaluar dyer te blinduara, edhe pse protestuesit u lodhën fort shumë për të hapur njërën prej tyre, akuzoi Policinë se duhet të kishte vepruar më shpejt, akuzoi Ramën se po bashkëpunonte me Berishën, kërcënoi disa media se do të kishin fatin e atyre që DASH dënoi në Bosnjë Hercegonive për personat e shpallur “non grata”, mohoi të ketë pasur ndërhyrje njerëzish nga selia brenda PD-së, si dhe etiketoi një grup njerëzish që sulmuan PD-në si kriminele që nuk kanë lidhje me PD-në.
“…Dua të falënderoj nga zemra të gjithë të pranishmit këtu dhe qindra të tjerë, që me një përkushtim heroik bënë të pamundur objektivin e parë, nënshtrimin e shtëpisë së lirisë, nënshtrimin e selisë së demokratëve ndaj organizatës kriminale të Sali Berishës, e cila me mjete terroriste, u përpoq të realizonte sot uzurpimin me dhunë të selisë të demokratëve për t’u mbrojtur nga shpallja non grata për korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua t’i falënderoj po kështu sepse në orë kritike, pamundësuan edhe objektivin tjetër të Sali Berishës, daljen sot me viktima, derdhjen e gjakut të demokratëve për hallet e Sali Berishës. Dua t’u them të gjithëve se në një ditë si kjo, padiskutim Sali Berisha i ka bërë kësaj partie dëmin më të madh, ndonëse në këto 30 vite jo të vetmit, por po kështu i ka dhënë demokratëve mundësinë më të madhe për t’u shkëputur një herë e mirë nga trashëgimia e tij.
Nuk ishin 44 mijë demokratë, por një grusht njerëzish të cilët e panë se kishin ardhur për t’u përdorur si mish për top, për hallet e Sali Berishës.
Dua t’u them fare qartë se sot Sali Berisha ka kryer punë me Partinë Demokratike dhe me demokratët. Se është rikthyer në shtratin në të cilin buroi, të bolshevizmit, të dhunës, të mashtrimeve, të propagandës dhe si i tillë nuk përfaqëson më më të keqen e kësaj partie, por përfaqëson atë që kjo parti e ka lënë pas sot e tutje. Sot e tutje, edhe më shumë se vendimet e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit dhe vendimet e Këshillit Kombëtar, Partia Demokratike ka treguar qartë se di të ndahet nga e shkuara dhe të lëvizë drejt të ardhmes, si shpresa e vetme për ndryshim për shqiptarët.
Sot po kështu është shpalosur, fare qartë edhe fakti që Sali Berisha dhe Edi Rama janë dy vëllezër siamezë. Njëri manipulon zgjedhjet, dhunon demokratët dhe tjetri nuk lë mjet pa përdorur duke kulmuar me dhunën dhe nxitjen e përplasjes mes demokratëve, me qëllimin e vetëm për ta përdorur Partinë Demokratike si një bunker, për tu fshehur nga non-grata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pasojat që kjo sjell për të personalisht dhe për rrethin e tij të ngushtë”, ishin disa pjesë të deklaratës së Bashës.
“Nuk kam parë persona me hunj por kam pare kriminelë që kanë sulmuar PD. Policia duhet të ndërhynte që në momentin që filloi dhuna, nuk ndërhyri se ky është plani Berisha-Rama…Nuk ka gjë më të qartë kjo që tregon se Berisha dhe Rama flenë në një shtrat
Kërkesën për të dhunuar demokratët e ka bërë Sali Berisha, plani për të dhunuar demokratët për të vrarë demokratët nuk mund t’i atribuohet askujt tjetër vec Berishës
Te gjitha pamjet filmike janë në dispozicion të drejtësisë që është e ftuar të zbardhë gjithçka
E vërteta është që agresorët ishin organizata kriminale e Berishës me të në krye dhe aksesorët ishin Edi Rama dhe disa media të paguar nga oligarkët që e dine se cfarë do t’i gjejë kur Rama dhe Berisha të përfundojnë aty ku e kanë vendin…”, tha ndër të tjera Basha.
Ai mohoi të ketë pasur ne PD gjatë protestës njerëz me precedent penale, duke nënvizuar se, “në ambientet e PD ka pasur dhe do të ketë demokratë” .
Basha tha se nuk kishte gaz lotsjellës por “bombula zjarrfikësesh” “Nuk ka PD asnjë mjet të tillë dhe për këtë arsye, ne kemi lejuar kërkuar dhe bashkëpunuar plotësisht për zbardhjen e kësaj ngjarje”.
A do të bashkëpunojë me Berishën?
“Nuk ka asgjë që na bashkon. Shkëputja me të ka qenë një proces i dhimbshëm i PD-së derisa arritëm të kuptojmë kancerin që kishim brenda vetes. Është përfundimtare dhe e patejkalueshme. I ka hesapet me drejtësinë për këtë sulmin dhe dhunën dhe hesapet e pambyllura me demokratët. Ne kemi një objektiv, largimin e vëllait siamez të Berishës. Edi Rama po investon fort tek Berisha, ndërsa Berisha po mbështetet fort tek Edi Rama. Janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Janë pjesë e grupit na bashkoi non-grata. Janë pjesë e kastës 30 vjeçare që e mbajnë peng Shqipërinë. Shqiptarët meritojnë një politikë, normale dhe civile dhe jo një politik kriminale”
A ka negociata me ata që mbështesin Berishën?
“Nuk ka qenë shqetësim kurrë njerëzit që u janë besuar detyra që nuk i kanë ekzekutuar. Ata do i marrin vlerësimet nga PD. Shqetësimi im ka qenë ata demokratë që kujtuan se me të vërtetë kishte një hall tjetër Sali Berisha dhe jo hallin personal. Për të gjithë ata e kam një mesazh, me një zemër të hapur dhe një mendje të hapur për të kuptuar gjithçka që është investuar me helm për të na përçarë, le të bëhemi bashkë dhe të themi të vërtetat siç janë, edhe kur ka të bëjë me Sali Berishën.
Kur erdhi moment që Berisha e bëri të qartë se do shkelte mbi kufoma për të marrë selinë e PD-së, detyra ime si kryetar i zgjedhur, detyrë për të cilën sot jam sprovuar me këto zonja dhe zotërinj që tja hidhnim ;poshtë këtë plan. Bëmë gjithçka që t’ia hidhnim poshtë këtë plan, dalja nga selia e PD-së me arkivol të mos realizohej. Dhe i vetmi arkivol që doli nga PD është arkivoli politik i Sali Berishës”, tha Basha.
“Ata që janë ngjitur këtu nuk janë protestues, janë kriminelë. Demokratët nuk kanë nevojë të dhunojnë shtëpinë e lirisë dhe të derdhin gjak për hallin e Berishës. Ndërsa policia e shtetit, dua ta ndaj rolin e policisë dhe neglizhencën, ku policia pretendonte se këtu nuk po ndodhte asgjë”
“Demokratët s’kanë nevojë të derdhin gjakun për hallet e Berishës. Policia e Shtetit, pas 1 orë e gjysëm pretendonte se s’po ndodhte asgjë… PD do marrë hapat politikë dhe ligjorë për të zbardhur pse ju desh 1 orë e gjysëm të kuptonte skenarin e dhunës. Arsyeja e thjeshtë, vëllazëria Rama-Berisha”, tha Basha.
“Nuk pranon rregullat demokratikë, kushtetutën e partisë, garën e vërtetë por vazhdon avazin e vjetër, vetë voton vetë numëron. I vetëdijshëm se një farsë e tillë nuk certifikohej në gjykatë, urdhëroi këtë proteste. Dua të falënderoj të gjithë që bënë të pamundur nënshtrimin e selisë së demokratëve ndaj organizatës kriminale të Sali Berishës. Me mjete terroriste kërkoi që të merrte selinë për t’i shpëtuar non-gratës nga SHBA”, ishte një tjetër deklaratë.
Dorëheqja zgjidhje?
Do ishte zgjidhja më e shkëlqyer për vëllezërit siamezë. Ta harrojnë!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)









Lini një Përgjigje