Në fjalën e mbajtur para protestuesve, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka falënderuar gjithë shqiptarët që i janë bashkuar opozitës në këtë protestë, duke u shprehur se ndryshimi ka nisur dhe nuk do të kthehet mbrapsht.
Ai i ka dërguar mesazh Ramës, se në shesh nuk i kanë bashkuar vetëm hallet, por edhe zgjidhja për të ardhmen e shqiptarëve.
“Parlamenti i vetëm që njeh opozita e bashkuar dhe popullit i bashkuar. Përballë nesh dhe pas krahëve të policisë ndodhet banda më famëkeqe e hajdutëve që ka parë Europa e pasluftës e kryesuar nga kryehajduti, arkitekti i Shqipërisë kolumbiane, Maduro i Ballkanit, Rama dhe skuadra e tij kriminale. Për 6 vite me radhë kjo bandë vodhi e varfëroi shqiptarët, i gjobiti, rriti taksat, energjinë çoi në burg e në vetëvrasje familjarët që nuk i paguanin dot faturat e kripura, shkatërroi mijëra biznese, qindra mijëra i drejtoi në dëshpërim, shkatërroi shëndetësinë, mbylli qindra shkolla”, tha Basha.
Ai u premtoi të gjithë protestuesve se do të zgjidhë problemet e tyre me anë të programit të PD-së dhe theksoi se “Një ditë e re, po vjen”.
Sipas tij, “po aq sa ngjallet kufoma politike e Enver Hoxhes, aq ngjallet dhe kufoma politike e Ramës dhe Rilindjes”. Në fjalën e mbajtur para protestuesve, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i përcoi një mesazh kryeministrit Edi Rama lidhur me faktin se a ngrihen në protestë shqiptarët.
“Shqiptarët ngrihen fort dhe të thyejnë turinjtë kur i do qejfi. Rama është kryeministri më dështak, ai ka ikur që në momentin që dështoi me premtimet e tij. Sot ne jemi një pjesë, por mendoni që janë qindra dhe mijëra të tjerë në gjithë Shqipërinë që na përkrahin dhe që janë kundër politikave diskriminuese të Edi Ramës”, tha Kryemadhi.
Ajo vuri në pah të gjitha dështimet, sipas saj, të kryeministrit Rama.
“Nuk kanë faj ndërkombëtarët që vijnë këtu, shohin kulla të larta të shtrenjta që nuk janë bërë me paratë e pasta të bizneseve shqiptare, por me paratë e krimit. Nuk ka pullë të shkruajtur në ballë. por themelet e kullave të shumta, që vetëm në një vit u ngritën mbi 365, janë paratë e drogës që mbolli në 2015-ën, dhe i shiti në 2016-ën, që bleu votat me bandat e krimit në 2017-ën. Vëllezërit tanë policë që janë atje dhe gjenden midis zjarrit, sot janë njëlloj si ne, me mendje dhe zemër, në parlamentin e popullit, se ata kanë rrogën më të ulët që mund të ketë një polic që përballet me krimin”, vijoi kryetarja e LSI-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje