Lulzim Basha u prit nga një mori qytetarësh në Lezhë, që shpejt e shndërruan vizitën e kreut të PD-së në këtë qytet në një skenar të ngjashëm me mitingun e organizuar në qytetin e Kavajës, e për të cilin policia tha se ka gjobitur opozitën dhe disa pjesëmarrës në të.
Basha u prit me thirrjet “Rama ik”, ndërkohë që entuziami i takimeve u pasua me takimet me qytetarët dhe bizneset e zonës. Në këto takime, kreu i opozitës akuzoi Qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama se u ka vënë shkelmin në fyt shqiptarëve me taksa të larta dhe keqqeverisje.
“Do të punojmë si ekip t’ju çlirojmë nga ankthi dhe taksat e larta. Do të largojmë oligarkinë dhe t’i shërbëjmë qytetarëve. Lezha ka pasuri të jashtëzakonshme për zhvillim. Kemi planin për të ndihmuar biznesin e vogël, turizmin dhe të rinjtë. Do të bëjmë një qeveri për të ndihmuar qytetarët jo veten”, tha Basha.
Duke bërë thirrje lezhjanëve për ndryshim më 25 prill, Lulzim Basha premtoi se qeveria e ardhshme do ta ndryshojë situatën, dhe të parët që do ta ndjejnë janë qytetarët dhe bizneset. Por, që situata të ndryshojë, siç tha Basha, duhet larguar Edi Rama.
“Asgjë nuk do të ndryshojë pa larguar Edi Ramën dhe këtë e di i madh dhe i vogël. Ndaj gjithë këtë entuziazëm dhe shpresë që e prek kudo, le ta kthejmë në votë më 25 prill. Mos harroni, edhe në dyert e socialistëve të zhgënjyer, vëllezërit edhe motrave tona që të bëjmë të mundur votën më të madhe, referendumin më të madh popullor për ndryshim kundër së keqes me 25 prill”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje