Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi ditën e sotme një sërë takimesh me qytetarë e përfaqësues të biznesit në Fier, të cilët nuk e fshehën para tij pakënaqësitë për klimën e biznesit në vend.
Basha I ftoi fierakët t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit duke deklaruar se armët e fundit me të cilat po lufton qeveria Rama janë sipas tij, dëshpërimi, humbja e shpresës, dyshimi dhe mosbesimi.
“Këto janë armët e fundit të kësaj bande në pushtet, ndaj ju ftoj më 16 shkurt t’ja hedhim në Lanë këto armë që të gjithë së bashku të rindezim motorët e ekonomisë, mirëqenës përmes lirive, mundësive, punësimit që do t’i bëjmë realitet përmes planit tonë ekonomik”, theksoi para qytetarëve kreu i PD-së.
Basha theksoi se qeveria e tij kishte një plan ekonomik të detajuar për hapjen e vendeve të punës me paga dhe kushte dinjitoze.
“Ky është prioriteti i PD, ky është prioriteti i grupit tonë parlamentar, ky është prioriteti ynë. Kjo është plotësisht mundur. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen dhe i fryn burive të dëshpërimit për hesap të Edi Ramës”, deklaroi ai.
Gjatë takimeve nga Fieri, Basha nuk nguroi as t’i dërgonte një mesazh kryeministrit në lidhje me protestën studentore, duke deklaruar se Rama nuk ka shans t’ju djegë vitin akademik studentëve.
“Ata kanë mirënjohjen e thellë të qytetarëve shqiptarë për rolin e tyre në këtë zgjim të madh kombëtar që ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, çlirimin e Shqipërisë nga oligarkia, çlirimin e Shqipërisë nga krimi”,përfundoi kreu i PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje