Tashmë nuk ka asnjë dilemë; Partia Demokratike do të hyjë në Parlamentin e ri për të vijuar betejën me Edi Ramën, pavarësisht se zgjedhjet e 25 prillit i cilëson si “masakër elektorale” dhe pa asnjë lidhje me ushtrimin e demokracisë.
“Dialogu politik është mjet nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi ynë është të çlirojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish, që e kanë marrë peng demokracinë e vendit dhe në funksion të kësaj ne do të bëjmë gjithçka brenda dhe jashtë Parlamentit, brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që Shqipërisë një orë e më parë t’i kthehen kushtet dhe mundësitë për një demokraci funksionale nga e cila varet pastaj gjithçka: rendi dhe siguria, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe dhënia fund e hemorragjisë së emigracionit së të rinjve”, deklaroi nga Brukseli kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Basha mori pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partive Popullore Europiane, grupimi i të djathtëve të Europës. Kreu i PD thotë se këtu zhvilloi disa takime, që e kanë çuar në përfundimin se opozita shqiptare ka mbështetjen jo vetëm të të djathtëve, por edhe të institucioneve të Bashkimit Europian në betejën e saj në Shqipëri.
“Ne kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga Partia Popullore Europiane në çdo nivel, në vivelin politik por dhe në nivelin e përfaqësuesve të tyre në institucionet europiane. Nga Komisioni Europian, në Parlamentin Europian, në Këshillin Europian dhe do të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushtë dhe një mbështetje të madhe nga Partia Popullore Europiane në këtë betejë”, thotë Basha.
Pritshmëritë e kryedemokratit janë që raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR të “konfirmojë” akuzat e opozitës.
“Ndamë shqetësimin e madh për masakrën zgjedhore, për atë që ODIHR-i tashmë e ka përcaktuar në raportin paraprak si dy problemet kryesore: blerjen masive të votave dhe shkrirjen në një të shtetit dhe partisë, si dhe nevojën për të hartuar së bashku një platformë për të kthyer legjitimitetin dhe demokracinë”, deklaroi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje