Politike

Basha: Ka një aleancë të fshehtë kundër vettingut politik. Rama: PD, një zog dykrenar

Partia Demokratike ka propozuar shtyrjen për në seancën tjetër të ngritjes së komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, ndërsa seanca e së hënës pasdite u përqëndruar sërish në përplasjen Rama-Basha, ndonëse jo në terma aq të ashpër.

Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën se po zhyt në borxhe shqiptarët për hir të interesave të tij korruptive me një grusht oligarkësh.

“Sepse në 8 vite, edhe pse ka rritur taksat, Edi Rama ka marrë borxh sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë marrë së bashku, nga 1991 deri në 2013-ën, miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, nga xhepat e shqiptarëve, që nuk u përkthyen dhe nuk përkthyen në mirëqenie për familjet e thjeshta shqiptare, as nuk shkuan për një sistem arsimor më të mirë, as për një sistem shëndetësor më cilësor, as në mbështetje për bujqit dhe blegtorët tanë, as në rroga më të larta dhe as në pensione dinjitoze për të moshuarit tanë.

Miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, edhe njëherë sa të gjitha qeveritë marrë bashkë nga 1991 deri në 2013-ën, që nuk shkuan për qytetarët dhe jo vetëm nuk e bën dot Shqipërinë një vend më të jetueshëm, por e kthyen në një vend që konkuron me shtetet në luftë civile për numrin e njerëzve që duan të largohen dhe kërkojnë azil”, tha Basha.

Kreu i PD-së foli për një aleancë të fshehtë kundër propozimit të opozitës për vettingun e politikës.

“E di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle. I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur ekuilibrat dhe status quo-në e vjetër”, vijoi Basha.

Kreu i PD-së u shpreh se asgjë nuk do ta ndalojë kryerjen e këtij vettingu.

“Prandaj kundërshtarët e vetingut në politikë do të jenë pakicë e papërfillshme, sepse të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në një makth të korrupsionit dhe lidhjeve me krimin”, tha ai.

Rama u kundërpërgjigj duke u shprehur se halli i Lulzim Bashës është tjetërkund, duke iu referuar përplasjes së kreut të PD-së me Sali Berishën.

“Borxhi është më i lartë dhe ka një pse, dhe kjo lidhet me faktin se midis momentit kur 74 për qind e kemi unë në rreth 60 për qind e kam ulur, kanë ndodhur tërmeti dhe pandemia, që kanë çuar në nevojën imediate për të marrë borxh, borxhin që ju u latë shqiptarëve ishte 74 për qind dhe nuk kishte as tërmet e as pandemi, kur flisni ju për ato që flisni, është vërtetë për t’u admiruar është guximi që ju harroni se nuk keni ardhur nga Hëna dhe as nuk keni ardhur në Shqipëri ditën që nisi kjo legjislaturë, ju keni qenë këtu, protagonistët e qeverisjes i keni këtu në të dyja krerët e zogut që përpëlitet se tani është e formalizuar që PD është një zog 2 krenar që përpëlitet, por jo shqiponjë, nuk e di se kujt do i ngjaj në fund, por jo shqiponjës”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë