Në bashkëbisedimin e së mërkurës me gazetarët, Lulzim Basha kishte një paralajmërim: “I bëj thirrje çdokujt që ka ndërmend të hyjë në një marrëdhënie kontraktuale me shtetin në katër muajt e fundit të pushtetit, të ketë kujdes…”.
Ai pati një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për SPAK-un.
“Zotërinj të SPAK, kur ju nuk hetoni, por mbroni të korruptuarit, ju inkurajoni vijimin e plaçkitjes së shqiptarëve… Hapni gojën dhe tregoni se kur keni ndërmend që t’i kyçni në pranga anëtarët e këtij grupi kriminal”, tha Basha duke iu referuar tre padive që PD-ja ka dërguar pranë SPAK për inceneratorët.
I pyetur nëse do t’i kërkojë presidentit shpërndarjen e parlamentit, sipas një kërkese drejtuar atij nga kryerepublikani, Fatmir Mediu, Basha u përgjigj:
“Shqetësimi kryesor i imi sot, nesër dhe pas 25 prillit do të jetë shqetësimi i shqiptarëve. Në funksion të kësaj nuk do të kursej asnjë thirrje apo lëvizje që do ta ndihmonte situatën. Nëse zgjedhjet do të ishin mbajtur në 2019 atëherë kur ne dogjëm mandatet, rruga e të keqes do të ishte shkurtuar. Sa më shpjet të shkurtohet rruga e vuajtjes së shqiptarëve aq më mirë do të jetë për të gjithë. Detyrat janë të përcaktuara dhe unë detyrën time si kryetar i opozitës do ta bëj me një gjë në mendje, interesin e shqiptarëve të thjeshtë. Unë do të mirëpres dhe çdo hap që ja shkurton ditët së keqes”.
Referuar ligjit antimafia, Basha tha se çdo qindarkë “që i është grabitur shqiptarëve do t’ia nxjerrin nga hundët”.
Në fillim të konferencës, Basha u fokusua edhe tek projektbuxheti për vitin e ardhshëm, ku sipas tij, sërish fokusi është tek koncesionet.
“Ky është buxheti më i papërgjegjshëm në 30 vite, gënjeshtra më e madhe në 30 vite. Tablo më e qartë e Edi Ramës që edhe në muajt e fundit të pushtetit zgjat dorën në xhepat e shqiptarëve për të vjedhë paratë e tyre për koncesione PPP
Kjo është tabela që tregon sa para ka planifikuar Rama tu japë koncesioneve të PPP-ve. Vetëm inceneratorët do të marrin vitin që vjen 6 herë më shumë se planifikimi për indeksimin e pensioneve. 3 herë më e lartë se shuma e dedikuar për familjet në nevojë dhe në ndihmë ekonomike.
Kurrë nuk ka qenë më qe qartë zgjedhja e një qeverie sesa të zbatojë planin tonë me 5 pika”, tha Basha. Kreu i PD-së tha se buxheti i ardhshëm është i pavlefshëm, por pa sqaruar se çfarë nënkuptonte me këtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje