Politike

Basha: Ligjet e para që do kthej pas 25 Prillit, kryeministri jo më shumë se 2 mandate

Rrugës për Kavajë ku do të zhvillonte takime me qytetarë dhe sipërmarrës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ndryshoi strategji.

Kësaj here me rrip sigurimi, Basha i përgjigjej live pyetjeve nga Facebook teksa udhëtonte me makinë, sigurisht me shofer.

 “Kam shumë ligje që duhen anuluar dhe duhen miratuar. Por norma e parë do të jetë kufizimi i pushtetit, jo më shumë se dy mandate.

Ka dhe ligje të tjera, ligji për arsimin e lartë, heqja e traut në rrugën e Kombit dhe anulimi i koncesioneve korruptive.

Do të përfshijmë në skemën e ndihmës ekonomike familjet që janë larguar.

Do të çlirojmë sipërmarrjen nga zgjedhja e shtetit arbitrare dhe do t’i kthejmë shtetin qytetarëve”, tha Basha që në fillim të rrugës, duke iu përgjigjur pyetjeve nga Facebook që ia përcillte stafi i PR.

Basha tha se janë njerëzit që kanë në dore zgjidhjen e problemit. Por si? Duke larguar Edi Ramën, sipas tij.

“Të largojmë Ramën dhe më pas bashkë të zgjidhim problemin. Le ta bëjmë së bashku, së bashku të ndryshojmë Shqipërinë hap pas hapi”, u shpreh ai.

Basha tha se shkon në zgjedhje me një listë njerëzish me integritet profesional dhe moral.

“Është një ndërthurje e eksperiencës dhe energjisë rinore, e përvojës në politikë dhe në profesione të ndryshme, e integritet moral të secilit prej anëtarëve të kësaj liste.  Ky është kontrasti më i qartë me atë që ka bërë kundërshtari ynë

I patë dje edhe deklaratat e ambasadorëve. Prapë Edi Rama e ka vënë bastin që me kriminelë, të fusë kriminelë në parlament dhe me kriminelë të sundojë Shqipërinë.

Është një trup për PS, e cila jam i bindur se vlon nga brenda. Ka pasur zëra kurajoze që e kanë kundërshtuar dhe publikisht këtë turp të madh.

Në 25 prill do të jetë edhe një çlirim për PS.

Këtu do të japim shembullin tonë me një listë të pastër. Është pjesë e ekipit të fitores.

Të gjithë janë pjesë e një ekipi që ka një mision, ndryshimin e vërtet, jo thjesht rrotacionin, por ndryshimin për çdo shqiptar.

Kjo është alternativa, pa larguar Edi Ramën Shqipëria do të mbetet në vend numëro”, tha Basha.

Kryetari i PD-së, me tej u ndal në Kavajë, ku u prit nga dhjetëra demokrate. Me ndihmën e truprojës, Basha i përshëndeti duke hipur mbi makinë.

“Ju lutem mbani distancën”, u tha Basha demokratëve, ngjeshur me njeri tjetrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë