Lulzim Basha ka thirrur në një mbledhje aleatët opozitarë për të vendosur mbi hapat që do të ndiqen pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Kreu i PD-së paralajmëroi se do të ketë një vendim politik, duke nënkuptuar edhe protestat.
“Opozita do të mblidhet sot, koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Hapa politikë do të hedhim. Ne do t’u bëjmë thirrje qytetarëve që të na ndjekin në rrugë politike. Natyrisht që ne do të marrim vendimet tona politike, koalicioni do të mblidhet sot dhe forumet më të larta të Partisë Demokratike dhe do të marrim vendimet tona politike.”, deklaori kreu i PD-së.
Kreu i PD-së e cilësoi dhunë barbare në zemër të Europës dhe pabesi të Edi Ramës.
“Aksion barbar, dhunë barbare në zemër të Europës. Pse? Se u mbrojt një monument i trashëgimisë shqiptare dhe europiane. Dhunë, pabesi, hajdutëri dhe antiligj. Ky është Edi Rama. Hajdutëri dhe babazi e pastër”, tha ai.
Basha thotë se me këtë akt, Rama varrosi paqen sociale.
“Me shembjen e paligjshme të TK për të pastruar paratë e pista të klientëve të tij, Rama i vuri kazmën themeleve të shoqërisë sonë. Dhuna ndaj qytetarëve dhe gazetarëve është e papranueshme. Aktivistët, artistët, opozitarët e arrestuar duhet të lirohen menjëherë! Rama është varrmihësi i paqes sociale në vend, varrmihësi i ekonomisë së shqiptarëve, hajduti i pronave publike dhe një kriminel ordiner që ka shkelur dhe uzurpuar çdo pushtet. Pa shporrur atë, në këtë vend nuk do ketë as ligj, as demokraci, as zhvillim dhe as mirëqenie për njerëzit”, tha Basha.
Se çfarë do të vendoset në këtë takim opozitar një sinjal e dha Monika Kryemadhi. Ajo ftoi shqiptarët për mosbindje civile.
“Shqiptarët të mos njohin Edi Ramën, të mos njohin drejtësinë e Edi Ramës, prokurorët e drejtësisë së Edi Ramës, që hanë dhe pinë në qëndrat e drogës dhe që ngelen peng i përgjimeve në tavolinat ku hanë dhe pinë. U bëj thirrje shqiptarëve që të mos lejojnë që jetën e fëmijëve të tyre ta lënë në dorë të mafias. Ne luftën e shpallëm! Mos njihni postblloqet e Edi Ramës, mos njihni taksat e Edi Ramës se ju mbyllin në shtëpi dhe faturat ua sjellin dyfish”, tha ajo.
Presidenti Ilir Meta e cilësoi shembjen e teatrit urdhër të dalë nga mafia dhe për autorët e këtij akti deklaroi se nuk do të ketë falje.
“Pak orë më parë, në kulmin e errësirës, mafia urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për MAFIEN në pushtet. Kjo pamje do kujtohet njësoj si kazmat e diktaturës në ‘67 mbi kishat dhe xhamitë. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”, shkruan Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje