Pas më shumë se 6 orë punimesh, Kuvendi i thirru nga Lulzim Basha, mbylli punimet mbasditen e vonë të së shtunës. Në atë Kuvend u vendos që Sali Berisha të përjashtohet nga strukturat drejtuese të partisë, pra nga anëtar i Këshilli Kombëtar, por u la evazive se cfarë do të bëhet me mandatin e deputetit, u miratua një rezolutë që e shpallin lëvizjen e Berishës antiamerikane dhe nul, nuk njohu referendumin e miratuar nga 11 dhjetori dhe ngriti një strukturë të re paralele; Aleanca për qytetarin në PD.
Kryetari i PD-së është pritur me ovacione nga delegatët që u mblodhen në Pallatin e Kongreseve. Punimet kanë filluar rreth orës 12.00. Gjatë fillimeve të punimeve nuk janë ndërprerë thirrjet “Basha, Basha” dhe “poshtë komunizmi”
Kryetari i PD-së e filloi fjalën e tij me masat konkrete që do të merren në Kuvend.
“Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz të inkriminuar, në cfarëdo veprimtari kriminale gjatë këtyre tridhjetë viteve, që janë bërë objekt i dënimeve penale, për krime ndaj qënieve njerëzore, krime ekonomie, vepra penale apo përfshirje në organizata kriminale. Dhe këto jo vetëm për që do bëhen të zgjedhurit e popullit shqiptar por dhe të zgjedhurit brenda PD. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionalizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarëve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do tëj jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”, tha Basha gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë, pas fjalës së Bashës, Kryetari i komisionit të ngritur nga Kuvendi, Jemin Gjana pasi njoftoi se në Pallatin e Kongreseve ka 5004 delegatë u kërkoi pjesëmarrësve që të votojnë duke ngritur dorën një vendim që kishte marrë kryesia e PD-së.
“Duke e parë të ardhmen e vendit në udhëkryq dhe të ardhmen e Partisë Demokratike të kërcënuar
nga jehona të së shkuarës, nga një frymë revanshiste që kërkon të delegjitimojë dhe shkatërrojë
opozitën, nga flukse me frymëzim dhe ide antidemokratike dhe kundër vlerave identitare të proamerikanizmit dhe pro-europeizmit;
VENDOS:
1- Shpallja non grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
2- Të mbështesë fuqimisht iniciativën për dekomunistizimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit
politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike dhe partitë politike.
3- Kuvendi ngarkon organet e Partisë Demokratike për zbatimin e këtij vendimi.
4- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e miratuar në unanim nga Kuvendi.
Deri më tani Berisha kishte vetëm një funksion në PD atë të anëtarit të Këshillit Kombëtar. Më këtë vendim nuk kuptohet nëse ai është i përjashtuar edhe nga grupi parlamentar i PD-së që më gjasë jo, sa kohe që ajo është një procedure krejt tjetër.
Brenda PD-së sot zhvillohen dy ngjarje paralele, krejt të kundërta nga njëra tjetra. Që në orën 8.00 ka nisur votimi në referendumin e thirrur nga Berisha për shkarkimin e Bashës.
Paralelisht me Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka ngritur komisionin që po organizon procesin e shkarkimit të Lulzim Bashës.
Aty rreth orës 10.00 ka votuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha pak hapa larg nga selia e ambasadës së SHBA në një nga baret aty afër me po të njëjtën emër “Amerika”
Por është ky një provokim për SHBA, i pyetur nga media?
“Nëse mendoni se në asnjë vend të lirë të botës aq më tepër për SHBA vota e lirë s’mund të jetë asgjë tjetër veçse e mirëpritur”.
“Ky është një akt madhor që ka dridh themelet e narkoshtetit, e patë ju kreun e meduzës mbrëmë se si përpiqej të tjetërsohej në cdo gjë tjetër nga ai që është e patë ju Lul Bravën se si ka mbledhur në anti kuvendin e tij nga nxënës shkollash deri tek kryetarë me dy mandate të bashkive të PS por shikoni nga ana tjetër ngadhënjimin e opozitës së vërtetë e cila vetëm në hapat e parë ka shkaktuar ka sjellë entuziazëm, ka sjellë shpresë të madhe dhe besimin në rritje në rininë dhe në të gjithë shtresat e tjera të popullsisë në Shqipëri, ju shihni krahun tjetër se si po shëmtohet cdo ditë e më shumë me aktet e veta. Ato që bën Lulzim Brava atë skenar e merr nga kreu i meduzës dhe unë u jap fjalën se do kenë të njëjtin fund e të njëjtin fat”, tha Berisha pas votimit.
Ai ftoi demokratët që të hënën të protestojnë ndaj vizitës në Tiranë të Aleksandër Vucic.
“Ditën e hënë, ora 4.oo të gjithë demokratët në protestën e madhe në mbrojtje të interesit kombëtar por edhe kundër vjedhjes së tmerrshme të 430 mln eurove që kërkon kreu i Meduzës me SPAK e tij ti fshehë në një vjedhje prej 3 mln eurosh”.
Por me çfarë statusi?
“Në cilësinë e sovranit, kuvendi është autoriteti më i lartë i PD i cili urdhëroi me votën e tij mbledhjen e referendumit. Pra referendumin e thirri kuvendi. Sot kemi një antikuvend apo një takim të shoqatës Brava- Bardhi”.
Berisha ftoi demokratët që protesta të fillojë nga selia e PD të hënën
“…Ne do të nisemi nga aty se është shtëpia jonë. Selia e PD-së nuk është shtëpia apo prona e Lulzim Bashës dhe nuk ka dyshime të gjithë demokratët janë të ftuar. Për sa i përket votimit të referendumit mund t’ju them se ka një fluks dhe angazhim shumë të madh. Mund t’iu them se në orën 17:00 Lulzim Brava merr atë që meriton. Absolutisht kjo nuk është një betejë kundër ShBA-ve, është një betejë për lirinë dhe votën e lirë në Shqipëri. Një betejë kundër vlerave që ne ndajmë me vendet e tjera është beteja e Lulzim Bashës i cili thotë se beteja ime është një betejë për të legjitimuar masakrën zgjedhore të Edi Ramës.
Statutet nuk shkojnë në gjykatë për tu miratuar, por për tu regjistruar. Gjykata ka të drejtë t’i refuzoj atëherë kur nenet e statutit bien ndesh me nenet kushtetuese, kur partitë nxisin racizmin apo prekin interesat kombëtar”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)
















Lini një Përgjigje