Politike

Basha me ekspertët: 100 ditët e para të qeverisë sime

Në takimin me ekspertë të fushave të ndryshme, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se çfarë do të bëjë në 100 ditët e para të qeverisjes, nëse pas 25 Prillit do të ketë rotacion.

“Ky takim i sotëm, i cili është brenduar si ‘100 ekspertë për 100 ditët e para’, të na shërbejë që me të vërtet 100 ditët e para të qeverisjes së ardhshme që do të burojë nga vota masive për ndryshim e shqiptarëve, të jenë 100 ditë që do të shtrojnë rrugën e një ndryshimi pa kthim. Kjo do të thotë që ne duhet të marrim përgjegjësitë që çdo 24 orë të këtyre 100 ditëve, të marrim vendimet e rëndësishme mbi të cilat do të ngrihen pastaj planet e zhvillimit në çdo sektor. Pa pikë diskutimi, stabilizimi ekonomik është emergjenca, së bashku me shëndetin dhe stabilizimin shëndetësor dhe për një segment të caktuar të popullsisë çështja e strehës, pra, e rindërtimit…”, tha ai

Më tej, Basha shtoi: “Ekonomia, punësimi, pagat e larta mbeten prioriteti afatmesëm i këtij programi. Ekonomia, punësimi, mirëqenia janë po kështu prioriteti absolut i 100 ditëve të para së bashku me shëndetin në tërësi dhe përballimin me sukses në tejkalimin e pandemisë në veçanti dhe përmbylljen me shpejtësi të procesit të rindërtimit.

Kjo mund të arrihet vetëm duke rivendosur sundimin e ligjit kundër sundimit të njësh-it. Kjo mund të arrihet vetëm duke rivendosur institucionet në funksion të qytetarëve dhe shtetin në shërbim të qytetarëve…

Jam i bindur që këtë do ta arrijmë të gjithë së bashku. Një javë na ndan nga e diela dhe votën për koalicionin për ndryshim, për Aleancën për Ndryshim, për Partinë Demokratike, për numrin 9. Do të hapim së bashku rrugën dhe do të marrim përgjegjësi për 4 vite punë të palodhshme në shërbim të qytetarëve, të cilët me patjetër do të sjellin ndryshimin që kërkon dhe meriton çdo shqiptar, duke nisur me 100 ditët e para të qeverisjes, të cilat do të jenë 100 ditë intensive, të vështira por pa diskutim një sfidë që do ta kapërcejmë me sukses, për t’i dhënë shqiptarëve atë që meritojnë, shpresën, besimin, mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre në një Shqipëri që ecën përpara, një Shqipëri që po kështu ecën drejt integrimit europian. Sepse një nga zotimet tona të 100 ditëve të para mbetet hapja  e negociatave me BE-në..”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë