Kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi një takim me të rinjtë demokratë të Durrësit ku ishte i pranishëm edhe kandidati i PD-së për bashkinë, Luan Hoti.
Basha foli për një model të ri në politikë dhe hodhi simbolikisht gjatë takimit atë që ai e cilësoi si “karrigia e pushtetit”
“Ja ku jemi sot, dy vite e ca muaj pas rebelimit studentor të 2018-ës dhe asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk ka si të ndryshojë. Modeli i vjetër nuk ndryshon dot. Modeli i vjetër e ka mendjen vetëm këtu, tek karrigia. Këtu e ka mendjen dhe për hir të kësaj, është gati t’i vërë kazmën gjithçkaje e të djeg gjithçka. Ka frikë më shumë se të gjithë e mbi të gjitha rininë. A e dini pse? E di çfarë i bën rinia në çdo vend, edhe në Shqipëri atyre që e kanë mendjen mos t’i lëshojnë karriget? Iu bën këtë. Dhe këtë do t’iu bëj atyre që kanë 22 vite që nuk e lëshojnë karrigen e kryebashkiakut të Durrësit dhe e kanë katandisur Durrësin, perlën e Adriatikut…”, tha Basha duke hedhur një karrige
Misioni i jetës politike, sipas tij, do të jetë rinia.
“Ky është misioni më i lartë që më frymëzon ditë për ditë në veprimtarinë time politike, në çdo kuptim. Të marrë në dorë në kuptimin e fateve ekonomike, shoqërore dhe politike. Po a është kjo një betejë e lehtë?
Ashtu siç u zbardh afera e inceneratorëve, tani është në dorë të SPAK-ut mos ta lërë te Koka që në fakt është bishti, por ta çojë tek koka e vërtetë që është i pari i qeverisë, bashkë me ministrat dhe kryebashkiakët duke përfshirë kryebashkiakun real këtu se të gjithë e dimë që kryebashkiaku këtu është Dako dhe ndryshimi midis tij dhe asaj që sillet si kryebashkiake nuk është as një gërmë, D-ja me S-në, nuk ka asnjë ndryshim, reali është ai. Por duke bërë të mundur ,pra që të gjithë këtë njerëz të shkojnë dhe të japin llogari para drejtësisë, siç jep llogari çdokush”, tha ai.
Basha foli edhe për Portin e Durrësit duke akuzuar Berishën (pa ia përmendur emrin direkt) se është ky i fundit që po bën aleanca me Vangjush Dakon.
“Gënjeshtra tjetër është mashtrimi publik që po bëhet me Portin e Durrësit. Dhe këtë do ta çmontojmë. Po ua them sot këtu para gjithsecilit prej jush dhe para gjithë shqiptarëve që na ndjekin.
Gjashtë vjet më parë nisëm denoncimet dhe mund të ishte parandaluar afera e inceneratorëve, sot po dridhen nga i pari tek i fundit sepse e dinë se çfarë do t’i gjejë eventualisht nga drejtësia.
Tani po ju them aferën e Portit të Durrësit që e kemi denoncuar që prej ditës së parë do t’i shkojmë deri në fund me të gjitha format dhe mjetet.
Ne nuk do ta lëmë Durrësin pa zhvillim. Kemi disa ustallarë tek karakatina e vjetër, disa ustallarë të gënjeshtrave e mashtrimeve te modeli i vjetër.
Njëra palë ndryshon ligjin në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Satabilizim Asocimit që t’i hapi rrugë dhënies së Portit të Durrësit pa garë një arabi i cili në fakt është vetëm një prestanome për disa oligarkë dhe disa politikanë që duan të pastrojnë paratë e drogës dhe paratë e korrupsionit duke zhvatur të ardhmen e Durrësit.
Pala tjetër thotë ky është projekti Rama-Basha ndërkohë që natën takohet me Dakon. Sigurisht është e njëjta shkollë. Unë nuk kam ndërmend siç nuk kam bërë kurrë në asnjë çast të merrem me baltën që hedh modeli I vjetër. Ne do të merremi me fakte…”, premtoi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje