Nga Gazeta ‘Si’ – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur këtë të martë Kolegjin e Kryetarëve të PD.
Në fjalën e tij të hapur për mediat, Basha komentoi situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike, por pa preferuar të ndalet në emra. Megjithatë ai pati edhe një mesazh për kreun e Grupit, Gazment Bardhin.
Basha tha se kushdo që nuk reflekton dhe nuk bashkohet me demokratët duhet të largohet në bunkerët anti-amerikanë sepse kjo është një betejë për të mbrojtur interesat jo vetëm të demokratëve, por gjithë shqiptarëve dhe jo për të mbrojtur interesa personale politike.
Ai theksoi se “cilido që kërkon t’i bashkohet aleancës së kullës së korrupsionit është i lirë, por mos të mbajë flamurin e demokratëve apo të flasë në emër të tyre, por të flasë në emër të interesave personale apo të trekëndëshit të Bermundës”.
“Lufta” mes tyre u vu re dhe dje në Kuvend, ku Bardhi me një sërë deputetësh në mbështetje refuzoi njoftimit e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, se Lulzim Basha do jetë kryetari i ri i grupit të PD-së pas ndryshimeve të bëra në statutin e partisë.
Gjatë mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve, Basha nuk përjashtoi as mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, teksa deklaroi se “synimi është që brenda 31 marsit PD të evidentojnë dhe të lançojë 140 kandidatët për deputetë dhe në rast të mospasjes së të papriturave politike dhe elektorale, nëse zgjedhjet e ardhshme do zhvillohen në afatet e caktuara nga Kodi Zgjedhor”.
“Transformimi i disa politikanëve në shërbëtorë të interesave të ngushta, është dukuri që ka prekur prej kohësh politikën e këtij vendi. I vetmi injeksion kundër kësaj dukurie është vota e qytetarëve, ndaj listat e hapura janë angazhimi ynë i pari në nisjen e këtij sesioni parlamentar dhe nisjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore të bashkëdrejtuar nga Enkeled Alibeaj.
Në koordinim edhe me aleatët e tjerë parlamentarë, do të shtyjmë fort që listat e hapur, por edhe rishikimi i ndarjeve elektorale të Shqipërisë të pamundësojmë sharlatanët dhe pelivanët e politikës që të vazhdojnë të sigurojnë privilegjeve për vete përmes fatkeqësive të njerëzve dhe vota e marrë të mos jetë një moment në 4 vite, por e përditshme.
Që ta bëjmë këtë duhet të jetësojmë një vendim të së shtunës, që të gjitha vendimet në këtë parti i takojnë anëtarësisë dhe institucioneve”, deklaroi ai.
Deklaratave të Bashës, nuk ka vonuar t’u përgjigjet Gazment Bardhi, i cili në përfundim të tryezës së përbashkët të opozitës, tha:
“(Basha) T’i rikthehet misionit si opozitar, çdo deputet mund të ketë mendimet e tij për bunker, nuk dua t’u hyjë deklaratave ndarëse, cilido të reflektojë se ku ndodhet Shqipëria dhe se mungesa e opozitës çfarë mund t’i shkaktojë Shqipërisë”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje