Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama se brenda një ditë goditi dy kolonat kryesore të demokracisë; opozitën dhe median.
“Ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës. Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën”, tha Lulzim Basha në një deklaratë për mediat.
Basha tha se për të dyja këto vendime, Edi Rama është ndihmuar nga krimi i organizuar.
“Me krimin e organizuar ai vodhi dhe bleu votat e shqiptarëve për të sunduar në parlamentin ilegjitim. Me krimin e organizuar, Edi Rama sundon drejtësinë”, tha ai.
Basha përsëriti akuzën se gjyqtari që dha vendimin ndaj ish-deputetit Ervin Salianji është anëtar i bandës së Lushnjes, e cila sipas tij, ka rinisur aktivitetin nën pushtetin e Edi Ramës.
“Gjyqtari Artan Gjermeni, i cili dënoi sot pa prova Ervin Salianjin dhe gazetarin Jetmir Olldashi është as më pak e as më shumë, anëtar i bandës së Lushnjës, e cila ka nisur të gjallërohet sërish nën pushtetin e Edi Ramës”, vijoi kreu i PD.
Basha tha tha se vendimi ishte politik dhe në fund përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar Kryeministrit.
“I ke bërë llogaritë gabim! Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhërit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar. A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë! Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim!”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje