Dikur pasardhësi politik i Sali Berishës sot lider i thyer për të, Lulzim Basha nuk doli me një deklarate nominale lidhur me votimin në Kuvend të arrestimit të mentorit të tij politik ndër vite.
Ashtu si edhe herët e tjera kur ka reaguar përmes zëdhënëses së tij Mirela Karabina edhe kësaj here Basha iu fsheh një qëndrimi të drejtpërdrejtë për rastin ‘Berisha’ duke përdorur një deklaratë të thatë në emër të grupit të PD-së zyrtare.
Ata munguan si grup në seancën e të enjtes. Por përcollën po si grup një deklaratë për mediat përmes një emaili zyrtar.
“Deputetët e PD mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj.
Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha”, thuhet në deklaratën e PD-së zyrtare.
“Deputetët e PD nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për ti përdorur si argument për ti ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën.
Shfaqja e shëmtuar që dyshja Rama Berisha u ofron çdo të enjte shqiptarëve, mungesa e debatit dhe bllokimi i jetës parlamentare janë akte që i shërbejnë një qeverie të dështuar dhe një segmenti opozitar që së bashku përpiqen ti fshihen drejtësisë.
PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre”, thuhet në deklaratën zyrtare të PD
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje