Politike

Basha në Shkodër: Banditët detyruan të mbyllë mbledhjen një ambasadore pasi grabitën në sy të saj një të ri

Partia Demokratike është futur zyrtarisht në proces zgjedhor për kreun e partisë.

Deri të shtunën Komisioni Zgjedhor do të administrojë kandidaturat.

Lulzim Basha në anën tjetër ka vijuar takimet me strukturat nëpër rrethe duke konfirmuar ngado se këto zgjedhje u vodhën.

Basha ka zgjedhur cdo qark për të përcjellë nga një mesazh në këtë drejtim.

Në Shkoder, ai etiketoi PSD e drejtuar nga Tom Doshi.

‘Sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD.

Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që jua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare”, tha Basha në Shkodër.

Më tej ai përmendi një episod që kishte ndodhur gjatë një mbledhje ku e pranishme ishte edhe një ambasadore perëndimore,  pa i përmendur emrin.

“E pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi.

Por, e them me krenari që nuk ia dolën të trysnojnë demokratët e Shkodrës dhe qytetarët shkodranë ”.

Basha tha se PD ka vetëm një detyrë; vijimin e betejës.

“Ne kemi një dhe vetëm një detyrë, të vazhdojmë deri në fund betejën derisa e drejta për 25 prillin të jetë e qartë dhe e kthjellët si qielli. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur, të gjithë e dimë se forca dhe vullneti juaj bënë diferencën pavarësisht prej makinerisë shtetërore të bërë njësh me mafien, pavarësisht regjimit Rama-Doshi.

Ndaj, sot kam ardhur t’ju për të vazhduar dhe për ta çuar së bashku deri në fitore betejën që kemi nisur…”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë