Lajme

Basha në Valias: Rama ju mashtroi, marshoni më 16 shkurt

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një takim me banorët e Valiasit të përmbytur një vit më parë, ka vënë në pah neglizhencën e qeverisë për mosdëmshpërblim, dhe i ka ftuar të gjithë këta banorë të marshojnë më 16 shkurt në protestën e opozitës.
Basha duke kujtuar përmbytjet e një viti më parë në këtë zonë, u shpreh se kryeministri Edi Rama i ka mashtruar banorët sepse nuk u janë kompensuar dëmet 700 familjeve.
“Asnjë kokërr leku nuk iu dha Bashkisë së Kamzës. Asnjë cent dëmshpërblim 700 familjeve, të cilët u përmbytën për shkak jo vetëm të motit, por pakujdesisë dhe neglizhencës së Edi Ramës”, tha ndër të tjera Basha.
Sipas tij, Rama tallet me të gjithë shqiptarët, pasi siç shprehet ai njerëzit dhe familjarët e kryeministrit kanë fituar 4 milionë euro vetëm për një ditë me ujin e KESH-it.
“Edi Rama tallet me familjet e përmbytura, sikurse tallet me të gjithë shqiptarët. Ndërsa vetë sipas investigimit të medias, me njerëzit dhe familjarët e tij, 4 milionë euro ka fituar vetëm për një ditë me ujin e KESH-it. Uji, kthehet në mallkim për njerëzit e thjeshtë dhe kthehet në pasurim për Edi Ramën. Kjo është Shqipëria që ka ndërtuar Edi Rama. Kur vjen fjala tek ekonomia, bujqësia, ndihma sociale, apo tek studentët, shëndetësia, qeverisja e Edi Ramës përcaktohet me një fjali ‘Merri shumicës dhe jepja vetes tënde’. Kjo nuk është qeverisje, kjo është hajdutëri me ligj”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha tha se janë ezauruar të gjitha mjetet politike për të rrëzuar këtë bandë dhe shprehet se sot është mes tyre për t’u kërkuar ndihmë, pasi zgjidhja tanimë është në duar të qytetarëve.
“Shqipëria sot nuk qeveriset, por sundohet nga një bandë. Ne politikisht kemi shteruar çdo mjet për ta zgjidhur. Prandaj sot kemi ardhur për t’u kërkuar ndihmë. Ta zgjidhim siç e zgjidh çdo popull europian. Kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja nuk është më në duart e një partie politike, apo aleance opozitare. Zgjidhja është në duart e qytetarëve shqiptarë. Dhe unë ju ftoj që me zgjidhjen në duart tuaja, me zgjidhjen në mendjen dhe shpirtin tuaj të vini dhe të marshoni më 16 shkurt në Tiranë dhe t’i japim zgjidhje njëherë e përgjithmonë kësaj krize. Ta largojmë këtë bandë që vetëm qeveri nuk është dhe t’i hapim rrugë demokracisë së vërtetë, ku qytetarët zgjedhin me votë të ndershme parlamentin shqiptar. Mjetet e tjera janë shteruar, le të jetë 16 shkurti dita kur vullneti popullor merr formë para Kryeministrisë dhe ftoni këdo që të vijë bashkë me ju”, shprehet kryedemokrati Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë