Politike

Basha, pakt me shoqatën e biznesit të vogël dhe të mesëm: Moratorium një vit nga tatimorët

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nënshkroi të mërkurën marrëveshje me Shoqatën Kombëtare të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Në takimin me drejtues të Shoqatës, Basha u angazhua për më pak  inspektime dhe ulje të taksave nën 0.5% të xhiros për bizneset deri në 140 milion lekë të ardhura.

“Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Shoqata e Biznesit të Vogël në Shqipëri deklarojmë me përgjegjësi të plotë publike nënshkrimin e kësaj marrëveshje:

Lidhur me mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme Partia Demokratike në qeverisje të vendit angazhohet tërësisht për të mundësuar mbështetjen e fuqishme dhe të menjëhershme ndaj biznesit në tërësi dhe biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti

Masa të rëndësishme rregullatore dhe fiskale të cilat do të përfshijnë: inspektoriatet e çdo lloji do të riorganizohen me një formë gjithëpërfshirëse, paralelisht me këtë reformë të gjitha bizneset do të përfitojnë një periudhë kohore 12 mujore gjatë të cilës do të inspektohen, por nuk do të gjobiten. Pra një moratorium mbi gjobat për 12 muaj. Koha e inspektimit për vit do të ulet ndjeshëm, 2-5 ditë për biznesin e vogël dhe të mesëm, 5-15 ditë për biznesin e madh dhe vetëm sipas analizës së riskut. Reformë e thellë fiskale që do të realizohet brenda 90 ditëve të para të qeverisjes sonë, përmes:

Rritjes së kufirit të regjistrimit për TVSH-në në 14 milion lekë të reja, që do të jetë një kufi i vetëm, si për TVSH-në ashtu edhe për tatimin mbi të ardhurat. Vendosjes së totalit të taksave dhe tarifave vendore, një tavan prej 0.5 % të xhiros vjetore.

Biznesi i vogël, pra çdo sipërmarrje me xhiro nën 140 milion lekë të vjetra në vit do të ketë një tavan të taksave dhe tarifave vendore prej jo më shumë se 0.5 %…

Pagimin e kuotave fikse nga biznesi i vogël do ta shoqërojmë me marrjen e një pulle fiskale, ngjitja në vitrinë e të cilës është edhe ndalim kalimi apo shenja stop për kontrollin dhe inspektimin…

Uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore në masën 18%…

Shfuqizimin me efekt të menjëhershëm të taksës “Rama” për karburantet për rreth 24 lekë për litër…”, lexoi Basha, pjesë të marrëveshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë