Pas Rrogozhinës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal në Luz të Kavajës, në një bashkëbisedim me banorët ku e ka cilësuar si aktin më kriminal të qeverisë Rama, atë për të hequr rimbursimin e TVSH-së.
Ai bëri një premtim edhe për të gjithë fermerët: “Edi Rama ka prishur çdo lloj kontrate me popullin. Do t’i japim fund hiles së ndryshimit të taksës. Rama ka goditur fermerët shqiptarë. Ai iu ka lënë vetëm tre rrugë prodhimeve tuaja: ose të jenë me çmim 14% më të rritur, ose përpunuesi ta shesë 14% më pak në treg, ose fermeri t’ja dërgojë përpunuesit 14%. Rama ua ka hequr 14% fitimin me një të rënë të lapsit. Pastaj kur pa protestën ka shpallur se gjoja do të rritë me 10%. Si çdo premtim tjetër, edhe këtë Rama e ka gënjeshtër. Këtu nga Rrogozhina them se me ne ribursimi do të jetë 20%. Puna mos të kthehet për borxhe dhe varfëri për ju. Çdo prodhim të shitet në tregun shqiptar dhe në eksporte. Do të japim 100 mln euro në vit. Një shumë e tillë do e bëjë të mundur që djersa e çdo fermeri të shpërblehet. Me 100 mln në vit fermerët shqiptarë do të jetën më të mbështeturit në Balllkan. Zotohem për këtë para jush,” tha Basha.
Më herët, kryetari Basha ishte në Rrogozhinë në takim me mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, ku i ka ftuar që të marrin pjesë në protestën e 13 prillit në Tiranë.
Sipas Bashës, beteja e demokratëve ka në themel varrosjen e fenomenit Rama.
“Beteja jonë është për të varrosur njëherë e mirë fenomenin e Ramës, pushtetarit batakçi, të lidhur me krimin që shkatërron ekonominë, futet në shtëpitë tuaja, në xhepat tuaja për të pasuruar veten e tij dhe një grusht njerëzish”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha i ka dhënë një mesazh të qartë edhe kryeministrit Rama, duke thënë se nuk do të pranojë asnjë pazar apo kompromis. Ai u tha qytetarëve rrogozhinas se beteja që ka nisur është pa kthim, sepse e ardhmja e shqiptarëve është Europa!
“Nuk ka kthim pas në atë që kemi nisur. Nuk ka pazar, kompromis mbi sakrificën tuaj, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje të thellë politike, ku të realizohet ëndrra e çdo prindi, fermeri apo pensionisti të Rrogozhinës, për një Shqipëri europiane. Pranvera sapo ka nisur, ndryshimi po vjen falë jush”, tha ai.
Lideri i opozitës pati edhe një paralajmërim për ata të cilët i quan oligarkë, duke theksuar se do t’u konfiskohet çdo pasuri që po i zhvatin popullit shqiptar.
“Oligarkët shushunja, këta armiq të interesit publik, e di fare mirë se çfarë i pret. PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Analizimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave tek populli shqiptar. Pasuritë e vëna mbi gjakun dhe djersën tuaj do të konfiskohen. Kontratat korruptive do të anulohen duke nisur me kontratat e Arben Ahmetajt që helmojnë fëmijët e shqiptarëve, duke filluar me koncesionet e rrugëve, miliona të shqiptarëve që përfundojnë në xhepat e 5 njerëzve”, u shpreh Basha nga Rrogozhina.
Pas deklaratave të Bashës, ka reaguar edhe zv/kryeministri Erion Braçe, duke u shprehur se problemi me bujqësinë qëndron tek sistemet e vaditjes dhe kullimit, rikonstruksioni i të cilave – sipas Braçes – është në dorën e dy kryebashkiakëve të Rrogozhinës dhe Kavajës; qytete të cilat drejtohen nga demokratët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje