Lulzim Basha ka reaguar këtë të mërkurë në lidhje me akuzën e Bashkisë së Tiranës, që pasditen e së martës deklaroi se kreu i Partisë Demokratike kishte hyrë me forcë dhe duke dhunuar recepsionisten në godinën numër 4 të Qytetit Studenti.
Sipas Bashkisë së Tiranës takimi i Bashës me studentët ishte i sajuar. Por, Basha e rrëzon këtë akuzë dhe deklaron se ishte i ftuar nga një grup studentësh.
“Ngjarjet e mbrëmshme janë një pasqyrë e qartë e realitetit me të cilën përballet Shqipëria. Mbrëmë isha ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona”, deklaron ai.
Në lidhje me përplasjen me njërën nga punonjëset e godinës, Lulzim Basha thotë se ajo i kërkoi që të largoheshin nga godina sepse ishte kërcënuar me një urdhër nga lart.
“Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart. Kjo në fakt është rruga tjetër. Rruga e frikësimit dhe kërcënimit të njerëzve për t’ju mbyllur gojën dhe për ti mbajtur të nënshtruar e nën kontroll”, deklaron kreu demokrat.
“Për mua politikanët duhet të jenë shërbëtorë të popullit, jo e kundërta. Nuk do të lejoj askënd që të më pengojë të dëgjoj problemet e bashkëqyetarëve të mi dhe të përpiqem t’i ndihmoj ata. Kjo është arsyeja pse u bëra pjesë e jetës publike. Iu bëj thirrje atyre që kanë zgjedhur rrugën e kërcënimeve dhe intimidimeve që t’i vënë gishtin kokës. Askush dhe asgjë nuk do t’i ndalë njerëzit që të dëgjohen dhe ta thonë fjalën e tyre”, mbyll reagimin e tij Lulzim Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje