Lulzim Basha u ndal në Korçë këtë të martë në kuadër të takimit me të rinjtë nëpër rrethe. Në takimin me të rinjtë korçarë, kreu i demokratëve e përqëndroi fjalimin e tij tek nevoja për angazhimin e të rinjve për ndryshim. Si pikë referimi, Basha mori protestën studentore të vitit të kaluar, që ai thotë se nuk është shuar.
“Së pari, Lëvizja ishte e studentëve, ishte e jashtëzakonshme, shumë frymëzuese dhe i parapriu një zgjimi të madh. Së dyti, dua të them që me rastin e protestës së studentëve, ne shpalosëm programin tonë për arsimin, program të cilin duam ta konsolidojmë dhe ta vëmë në jetë menjëherë ditën kur do të na besohet me votë qeverisja e vendit. Së treti, kurrë mos u shkurajoni! Mos kujtoni se protesta juaj shkoi dëm dhe energjia juaj shkoi dëm. Ishte fillimi i një pranvere që nuk ka për t’u ndalur dot. Ndryshimi do të vijë. Detyra ime dhe e jona është që ky ndryshim të mos jetë vetëm rotacion, por të ketë ndryshimi i vërtetë që doni dhe meritoni secili prej jush”, ishte mesazhi i Bashës për të rinjtë në këtë takim.
I pyetur nga mediat në fund të takimit në lidhje me akuzat për vilën në “Long Hill”, Basha cilësoi gjithçka sajesë të sponsorizuar nga Edi Rama për të hequr vëmendjen nga problemet e vendit.
“Gënjeshtrat kundër meje dhe familjes time janë një përpjekje cinike e Edi Rames për të hequr vamendjen nga lista e gjatë e skandaleve të tij. Nuk bëhem pjesë e kësaj loje. Jam në një tur takimesh nëpër Shqipëri për të diskutuar gënjeshtrat e qeverisë dhe rrugët e daljes”, tha ai.
Kreu i PD komentoi edhe arrestimin e Redjan Rrajas, i afërm i deputetit socialist, Rrahman Rraja. “Përplasje mes bandash në pushtet”, e cilësoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje