Ilir Meta dhe Lulzim Basha paralajmërian këtë të diel për rrezikun e rikthimit të totalitarizmit në Shqipëri. As Presidenti dhe as kreu i demokratëve nuk përmendin emrin e Edi Ramës, por folën për “rrezikun e përsëritjes së historisë” dhe “një projekt për ta kthyer Shqipërinë pas.
Presidenti Meta iu referua filimisht personazhit Arturo Ui të Bertold Brecht në librin me të njëjtin titull.
“Kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjësuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit”, tha ai.
Më pas, duke iu referuar “Fermës së Kashëve” të George Orwell, Meta thotë se “kafshët e shtypura pasi rebelohen për liri e barazi, befas një elitë dinake e udhëhequr prej derrave me parimin se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët” merr kontrollin e pushtetit dhe një tirani zëvendësohet me një tjetër”.
Por, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha premtoi se çdo përpjekje për të rikthyer një regjim në Shqipëri do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët.
Basha foli për ekzistencën e një projektit të tillë dhe megjithëse nuk e përmend në emër, nënkuptohet qartë që sipas kreut të demokratëve, në krye të këtij plani është Edi Rama.
“Projekti ogurzi i kthimit pas në epokën e pushtetit absolut, i kontrollit të gjithçkaje në vend nga një grusht pushtetarësh, të lidhur me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh, projekti i rrënimit të lirive, demokracisë dhe ekonomisë, si dhe i zbrazjes së vendit, do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët shqiptarë”, tha Basha.
“Historia e re e Europës është dëshmi e qartë e fundit pa lavdi të çdokujt që është përpjekur të sundojë me forcën e autoritarizmit. I tillë është fundi i këtij projekti, projektuesve dhe ndihmësve të tij. Shqipëria do të jetë si gjithë Europa, demokratike, e lirë, e zhvilluar ekonomikisht, me mundësi dhe shanse për të gjithë shqiptarët”, vijoi më tej kreu i PD.
23 gushti është dita ndërkombëtare e kujtesës për viktimat e sistemeve totalitare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje