Politike

Basha propozon ndryshim të Kodit Penal: 22 vite burg politikanit që zgjidhet me votat e krimit

Sipas Lulzim Bashës, vetëm vettingu i politikës nuk mjafton për ta pastruar atë nga krimi dhe për këtë arsye ai propozon edhe disa ndërhyrje në Kodin Penal.

“Krahas vettingut në politikë, me qëllim dhënien fund njëherë e mirë lidhjeve të botës së krimit me politikën, Partia Demokratike do të propozojë ndryshimin e Kodit Penal, në përputhje me Kodin Penal italian, duke ashpërsuar dënimet për këdo që kryen krime zgjedhore”, thotë kreu i PD-së.

Propozimi për ndryshimet në Kodin Penal bazohen në katër pika.

“Kushdo që pranon drejtpërdrejtë apo nëpërmjet ndërmjetësve, premtimin për të fituar vota nga elementë të krimit të organizuar, në shkëmbim të parave apo favoreve të tjera, dënohet me 15 vite burg”, është propozimi i parë i Lulzim Bashës.

Së dyti, ai thotë se i njëjti dënim parashikohet edhe për elementët e krimit të organizuar që kanë dhënë premtime të tilla, apo këdo tjetër që rezulton i përfshirë.

Në pikën e tretë, Basha propozon që politikani i zgjedhur sipas një skeme të tillë dënohet me 22 vite burg dhe në fund i ndalohet përjetësisht ushtrimi i funksioneve publike.

“Qeverisja dhe fatet e shqiptarëve nuk mund të diktohen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”, thotë Lulzim Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë