Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi disa takime në Korçë, për të përcjellë prej aty disa mesazhe për procesin e garës në PD ku zyrtarisht krahas tij janë edhe tre kandidatë të tjerë, secili me profil të ndryshëm nga njëri tjetri.
Ashtu si edhe në takimet e mëparshme, Basha kërkoi që nga ky proces, PD-ja të dalë me e bashkuar dhe se kjo forcë politike duhet të ketë primare betejën për ndryshim të vendit.
“Nxitimi dhe paqartësia që mund të sundoj në zemrën e dikujt, nuk mund të kthehet në arsye për të hedhur poshtë atë që kemi ndërtuar me sakrificë, me djersë, më vuajtje dhe me gjak, së bashku këto vite. Unë e dua Partinë Demokratike kështu siç e doni ju, të fortë e të pandarë e të bashkuar. Ndaj, dhe synimi kryesor i çdo demokrati është që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, madje edhe më të bashkuar sesa futemi në këtë garë. Vetëm kështu mund të vazhdojmë betejën tonë të luftojmë dhe të mundim armikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve, regjimin dhe njeriun që kryeson këtë regjim Edi Ramën”, tha ai.
Ndryshe nga kandidatët e tjerë, Basha sheh vetëm një arsye për humbjen e zgjedhjeve.
“Nuk mund të kemi dy vizione të ndryshimit. Ose 25 prilli ishte fitorja e Edi Ramës ose 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Të dyja bashkë nuk qëndrojnë… pavarësisht gjithçka që ka ndodhur, dy gjëra janë të qarta si drita e diellit, regjimi bëri gjithçka për ta ndalur ndryshimin dhe në fund diferenca midis dy kampeve tona, është sa gjysma e votave të pavleftësuara nga një nga marifetet që përdori, heqja e emrave nga fletët e votimit. Dhe e dyta ne dolëm më të fortë, më të bashkuar nga kjo betejë”, tha ai.
Qëllimi, sipas tij, duhet të jetë vetëm një; “Unë kërkoj që së bashku ta vazhdojmë këtë betejë deri në arritjen e stacionit final që është rrëzimi i këtij regjimi, sepse për mua ka vetëm një kundërshtar, një dhe vetëm një objektiv që duhet rrëzuar një orë e më për dhe ky është Edi Rama i cili qartësisht nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë”.
Për pasojë, ai kishte një përgjigje direkte për kandidatët
“Askush! As unë, as kandidatët e tjerë dhe askush. Qejfmbetur apo jo, me të drejtë apo jo, nuk mund të hedhë poshtë sakrificën e qindra, mijëra demokratëve të Devollit dhe të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë.
Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë sakrificë duke mësuar edhe nga ato gabime, duke ndrequr çfarë kemi në dorë të ndreqim, por jo duke rrëzuar atë që kemi ngritur vetëm me fuqinë e shpirtit tonë…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje