Pandemia, plani me 5 pika i opozitës dhe inceneratorët ishin temat e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha në konferencën për shtyp me gazetarët.
Basha kërkoi nga SPAK që të prononcohet deri ku janë hetimet për inceneratorët, ndërsa nënvizoi se afera në këtë drejtim është e madhe.
“… Edi Rama vazhdon aferat korruptive. Ajo e inceneratorëve. Rama i ka dhënë dhjetëra milion euro të parave të popullit shqiptar një personi që ka një kompani guackë me 3 inceneratorë në Elbasan Fier dhe Tiranë.
Në Tiranë kompania është regjistruar një ditë para se të merrte koncesionin.
Në Fier sapo ka marrë tenderin ia ka blerë kuotat kompanisë italiane për 20000 lekë të reja dhe ia dha kompanisë guackë.
Më 16 dhjetor 2016 qeveria ka marrë 17 vendime brenda ditës për këtë kontratë. Ua shtroj në formë pyetje ju dhe atyre që na ndjekin.
Cila qeveri në botë bën 17 vendime brenda ditës për një kompani që ka marrë koncesion pa asnjë garë. Vlera është 14 milion euro. Si mundet të mblidhen 17 herë brenda ditës për t’i dhënë një personi disa milion euro. 75 milion euro nga shteti për kompani pa asnjë punëtor…”, tha Basha.
Kryetari i PD-së shtoi: “Shqiptarët kanë paguar 75 mln euro dhe këto para nuk dihet se ku kanë shkuar, por ju e dini tani se ku kanë shkuar këto lekë. Përsëris Arben Kraja (SPAK) të dalë dhe të flasë publikisht për aferën e inceneratorëve, është e pafalshme që gazetarë kurajoz kanë bërë transparencë dhe SPAK të heshtë siç hesht Rama, Arben Ahmetaj dhe Veliaj…, kjo ju vendos në anën e gabuar, i kërkoj sot të bëjë detyrën, të dalë dhe të tregojë në çfarë stadi janë hetimet, prokurorët e ngarkuar, plani, kur do të pyeten Rama, Ahmetaj që brenda një dite morën 17 vendime, kush qëndron pas këtyre inceneratorëve, pse kanë marrë 75 mln euro, kur Ministria e Financave thotë se nuk është i investuar as 12%, ku kanë shkuar paratë”
Basha tha gjithashtu se, nuk ka asnjë transparencë mbi numrin e testimeve nga shteti dhe numrin e testimeve që bëjnë privatisht vetë qytetarët.
Kryetari i opozitës nënvizoi se spitalet COVID kanë ezauruar kapacitetet e shtrimit dhe se plani me 5 pika i PD-së është zgjidhja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje