Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me ministrin gjerman për Evropën, Michael Roth.
Basha tha se Shqipëria e humbi shansin e integrimit për në BE me zgjedhjet e 25 Prillit.
“Pata kënaqësinë të pres ministrin e Shtetit Michael Roth të cilin e informova mbi zhvillimet dramatike dhe masakrën zgjedhore të 25 prillit. Shqipëria humbi një mundësi të artë për shqiptarët, për demokracinë, por edhe për të ecur përpara me procesin e integrimit europian të vendit.
Për mua, për Partinë Demokratike, për opozitën nuk ka mundësi tjetër dhe nuk ka mundësi më të mirë për të ndryshuar vendin sesa procesi i integrimit europian.
Ky është një proces i bazuar tek arritjet, tek meritat dhe për fat të keq në këto zhvillime siç e kemi parë edhe nga konkluzionet e Këshillit Europian apo nga Rezoluta e Bundestagut Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për 8 vite për shkak të mosarritjeve të kushteve të vendosura të cilat janë rënduar edhe më shumë me zhvillimet e 25 prillit…”, tha Basha.
“Ne kemi bërë gjithçka në dorën tonë, opozita ka bërë gjithçka duke filluar me konsensusin për Reformën në Drejtësi dhe konsensusin për Reformën Zgjedhore të 5 qershorit. Për fat të keq qeveria i shkeli me këmbë të dyja këto. Ajo që i kam kërkuar ministrit Roth njësoj si të gjithë miqve ndërkombëtarë është të flasin dhe të denoncojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit para se të jetë tepër vonë për demokracinë dhe për Shqipërinë për të mos lënë që e njëjta situatë të ndodhë që Shqipëria të vazhdojë të jetë e mbushur me kriminelë në parlament, me drogë dhe zhytur në indekset më të ulëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar…”, vijoi ai.
Nga ana e tij, Ministri gjerman tha: “Të gjitha kritikat që do adresohen ndaj problematikave, do të duhet të qartësoheshin dhe duhet të bëhen përmes institucioneve. I besojmë ODIHR-t që është një institucion i pavarur, që na ka mbështetur në proceset zgjedhore, nëse kanë qenë të ndershme.
Jam dakord me z. Basha që e ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE dhe askund tjetër. Nëse kjo rrugë do të jetë e suksesshme, kjo nuk varet vetëm nga qeveria por edhe Parlamenti dhe opozita. Uroj që pas debateve të së shkuarës të gjendet një ton konstruktiv në marrëdhëniet e qeverisë me opozitën. Unë jam në politik aktiv që prej 23 vitesh, prej 8 vitesh në qeveri. Kam qenë aktiv si në qeveri ashtu edhe opozitë, të dy këto elemente janë të rëndësishme. Në një sistem demokratik jemi konkurrent, jo armiq, dhe Parlamenti është vendi i duhur për t’i çuar përpara debatet. Shkëmbimi me z.Basha ka qenë dhe është tejet i rëndësishëm…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje