Politike

Basha: Të nisë urgjentisht testimi masiv i mësuesve para hapjes së shkollave

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim basha shprehu sërish shqetësimin për masat gjysmake të marra nga qeveria për fillimin e vitit të ri shkollor, sipas tij.  Basha thotë se ruajtja e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve duhet të jetë parësore në situatën kur numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë.

“Për këtë, edhe njëherë i kërkoj qeverisë të nisë urgjentisht testimin masiv të mësuesve para fillimit të vitit të ri shkollor. Identifikimi dhe parandalimi i rasteve me COVID-19 nga stafi pedagogjik është tejet i rëndësishëm për të parandaluar zinxhirin e infektimit. Veç kësaj, procesi mësimor me disa turne e bën të domosdoshme rritjen e numrit të mësuesve në dispozicion të zhvillimit normal të shkollës”, thotë Basha.

Kryetari i PD deklaron se në kushtet aktuale të zhvillimit të mësimit, çdo mësues do të ketë më shumë ngarkesë për shkak të ndarjes së klasave në disa turne.  “Ndaj, veç kujdesit për shëndetin, qeveria duhet të marrë masa edhe për rritje të shpërblimit për stafin mësimor. Është koha të merren masa urgjente dhe konkrete për të mbrojtur jetën e nxënësve, mësuesve dhe të gjithë shqiptarëve. Rifillimi i shkollës është proces jetik për fëmijët dhe familjet shqiptare, dhe ky proces ka nevojë për kujdes dhe impenjim serioz nga strukturat shtetërore”, thotë Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë