Kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët që mbulojnë shëndetësinë për tu informuar më konkretisht mbi situatën e pandemisë, pasi siç u shpreh vetë ai, opozita nuk ka akses në atë që ndodh në spitale.
“Ju jeni burimi i vetëm i informacionit rreth asaj që po ndodh në spitalet COVID” , iu drejtua Basha.
Kryetari i opozitës nënvizoi disa herë gjatë bashkëbisedimit se rritja e testimeve duhet të jetë parësore shoqëruar me gjurmimin e kontakteve.
“Duhet së pari të rriten testimet. Është e pafalshme që dikush të rezultojë me Covid dhe familjarëve mos tu bëhet testi. Është mungesa e testimeve që ka sjellë këtë shpërhapje jashtë kontrollit. Them jashtë kontrollit sepse shifrat që raportohen nuk janë shifrat reale.
Unë kam dy të afërm që janë të shtruar, një tek infektivi dhe një tek sanatoriumi. Njoh 4 të tjerë që janë të shtruar. Po flisja me një nga bashkëpunëtorët, që i ka ndërruar jetë dikush vetëm tre ditë pasi u shtrua, dhe ka dy familjarët pa tampon. I është dashur rreth 4-5 orë për të negociuar”, tha Basha.
Po çfarë do të bënte ndryshe Basha nëse do të ishte në qeveri?
“Po të isha në qeveri do bëja ato që kam thënë në mars, ato që kam thënë tani në shtator. Kjo do të kërkonte jo thjesht të dish, unë nuk jam ekspert, por jam i rrethuar nga ekspertë. Ata kanë thënë që këtë duhet të bëjë kryeministri. Vendimet i merr kryeministri”, tha Basha.
Kryetari i opozitës nënvizoi edhe njëherë se me paratë e dhëna për inceneratorët do të ishin blerë tamponë, dhe rimbursuar ilaçet e COVID.
Basha tha gjithashtu se statistikat e përditshme nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë ato realet
“Statistikat e djeshme nuk përfshinin emrat e njerëzve që i njohim”, shtoi ai.
Ndërkohë gazetarët sollën disa shembuj nga mënyra se si po menaxhohet situata e pandemisë duke e vene theksin tek pamundësia e stafit mjekësor për të përballuar rastet e shtuara, përqendrimi i situatës vetëm në Tiranë duke mos trajnuar stafin mjekësor nëpër rrethe, tejmbushja e spitalit të Covid-1 dhe Covid-2, kaosi me mjekët e familjes lidhur me recetat që lëshojnë si dhe kostoja e lartë e trajtimit të një të infektuari që sipas raportimit të gazetarëve shkon deri në 900 mijë lekë të vjetra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje