Lajme

Basha u premton kuksianëve: Do anulojmë taksën e rrugës

Këtë të premte kryedemokrati Basha ka vijuar turin e tij në qytetin e Kukësit, ku ka dëgjuar nga afër problemet e tyre dhe i ka ftuar t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit para Kryeministrisë.
Banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, duke nisur me taksën e Rrugës së Kombit, mbylljen e universiteteve, mungesën e vendeve të punës.
Ndërkohë, akuzat e kryedemokratit në drejtim të kryeministrit Rama dhe qeverisë në pushtet kanë qenë të shumta.
“Gjendja është më e rëndë. Edi Rama me Kukësin ka ndjekur politikë spastrimi dhe zbrazjeje. Ky është njeriu që na hiqet si patriot i madh, por e ka shprehur i pari, a ka mundësi me e heq Kukësin e me ia çu Kosovës që të mos kemi votën e kuksianëve. Ai e di që nuk e ka mbështetjen e kuksianëve dhe qëllimi i tij ishte zbrazja e Kukësit. Masat që ka marrë, vendosja e traut, heqja e Universitetit, mbytja dhe shkatërrimi i biznesit, ka goditur Kukësin dhe gjithë Shqipërinë”, është shprehur Basha.
Kreu i PD është zotuar para kuksianëve se do të zhbëjë çdo padrejtësi që Edi Rama ka bërë kundër tyre dhe gjëja e parë që do të bëjë sapo të vijë në pushtet, do të jetë heqja e taksës së rrugës.
“Zotohem para jush, çdo padrejtësi që Edi Rama ka bërë kundër kuksianëve, ju premtoj që do ta zhbëjmë që në javët tona të para në pushtet. Duke nisur me anulimin e traut që ka vënë për t’ju ndarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë.
Do të zerojmë taksën. Heqja e taksës korruptive, do të jetë masa jonë e parë. Kuksianët treguan qëndresë dhe drejtësi për të gjithë shqiptarët”, u shpreh kryedemokrati.
Një ndër premtimet e Bashës për qytetin e Kukësit lidhet edhe me arsimin, ku ka premtuar që do të rihapë universitetin.

Lulzim Basha me qytetarët e Kukësit

“Ne do të rihapim Universitetin e Kukësit. Rihapa e universitetit do të rikthejë këtu fëmijët tuaj, me kosto më të ulët.
Do të financojmë praninë e pedagogëve, në mënyrë që këtu të jetë një qendër universitare e kërkimit shkencor, e trajnimit profesional. Ne do të marrim përvojën më të mirë gjermane sepse gjermanët i kemi në krah.
Ne këtu do të ndërtojmë modelin gjerman, ku gjysmën e kohës studenti ta kalojë në universitet, gjysmën e kohës ta bëjë stazh pune.
Jo vetëm do të sjellim profesorë e docentë, por do ta bëjmë qendër universitare të veriut të Shqipërisë, ku të vijnë nga Prizreni dhe zonat përreth”, tha Basha.
Sipas tij, prioritet tjetër është punësimi dhe jo lëmosha.
“Do të eliminojmë taksën Rama mbi karburantin, 300 lek më lirë, prej ditës sonë të parë në qeveri.
Ditën e parë do të firmosim heqjen e taksës Rama. Kjo do të çlirojë ekonominë.
Energjia elektrike, gjysma e familjeve në Kukës janë hequr nga ndihma ekonomike. Ne nuk mund të pranojmë që shteti t’i lë pa bukë, pa ujë, pa drita.
Familjet që janë hequr me të padrejtë nga ndihma ekonomike do të kenë ndihmë ekonomike të mjaftueshme për bukë, ujë dhe drita.
Por, dua t’jua them hapur se prioriteti ynë kryesor është punësimi, nuk është lëmosha”, tha ndër të tjera Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë