Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë (përmes Zoom) në aktivitetin e organizuar nga FRPD, në kuadër të 30 vjetorit të “Lëvizjes Studentore”.
Basha ishte në lidhje live me të rinj nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, nga Mali i zi dhe mbarë diaspora. Duke bërë një paralelizëm me 30 vite më parë, Basha tha se edhe sot ndryshimi i Shqipërisë mund të bëhet vetëm prej rinisë.
“Kam udhëtuar nëpër Shqipëri për të takuar të rinj të talentuar, por të dëshpëruar me realitetin. Prej 8 vitesh Shqipëria ka dalë nga drejtimi i duhur, ka bërë hapa pas. Varfëria, papunësia, keqqeverisja, shkak për largimin e të rinjve nga Shqipëria. E kuptoj dhe e ndjej dëshpërimin tuaj, kur shikoni propagandën virtuale dhe pastaj përjetoni me sytë e tuaj realitetin. Dikujt i leverdis që të mbjellë ndjenjat e dorëzimit, pesimizmit dhe braktisjes të vendit. Kanë frikë prej parimeve, ideve dhe forcës së rinisë. Të rinjtë shqiptarë shkëlqejnë jashtë Shqipërisë”, tha Basha duke shtuar se ndryshe nga jashtë, në Shqipëri “keqqeverisja po i detyron të largohen” .
“Unë besoj me shpirt se ndryshimi i shumëpritur është i mundur. Rini shqiptare, fatet e Shqipërisë, janë edhe sot mbi supet tuaja. Ne sollëm demokracinë në Shqipëri dhe po luftojmë për ta mbrojtur atë çdo ditë.
Vetëm me përfshirjen e rinisë, ndryshuam ekonominë nga ekonomia e centralizuar komuniste në një ekonomi të lirë të tregut.
Me ju krijuam vende të reja pune, futëm Shqipërinë në NATO, mundësuam lëvizjen pa viza.
Ne i arritëm të gjitha këto se besonim se Shqipëria mund dhe do të bëhet. Shumë prej jush të dëshpëruar, mezi prisni ndryshimin. Ndryshimi do të mbajë përsëri firmën dhe vulën e rinisë shqiptare”, tha Basha.
“Zotohem se si kryeministër do të kufizoj në vetëm dy mandate postin e kryeministrit.
Modeli i qeverisjes tregohet që në fillim. Atë që nuk e arrin dot për 8 vjet nuk e arrin dot as 80 vjet.
Kur nuk mban asnjë premtim për 8 vjet çfarë mund të japë më shumë një njeri pas 8 vjetësh në pushtet
Në parlament apo me referendum unë do të bëj realitet kufizimin e mandatit të kryeministrit”, premtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje