Yulia Navalnaya nuk është vetëm bashkëshortja e opozitarit numër një të Vladimir Putinit, Aleksei Navalni.
Kohët e fundit ajo është bërë një pikë referimi për opozitën ruse dhe tashmë ka nga ata që mendojnë se në të ardhmen, mund të jetë ajo që do të zërë vendin e burrit të saj, i cili është dënuar me dy vjet e gjysmë burg.
“Roli i tij sigurisht ka ndryshuar. Ajo ka karizëm dhe sharm, është një person krijues dhe i guximshëm dhe lehtësisht mund të zëvendësojë burrin e saj nëse është e nevojshme”, shpjegoi për “AFP”, eksperti rus i politikave, Konstantin Kalachev pak kohë më parë.
Për momentin nuk ka shenja të caktuara që Yulia dëshiron të ndjekë gjurmët e Svetlana Tikhanovskaya, e cila verën e kaluar sfidoi regjimin bjellorus dhe kandidoi për zgjedhjet presidenciale në vend të bashkëshortit të saj të burgosur, por sigurisht që Kremlini ka filluar të ketë frikë nga Navalnaja dhe ta mbikëqyrë atë.
Policia ruse e arrestoi atë gjatë protestave të 23 janarit, kur disa oficerë të policisë gjatë trazirave në çdo cep të Rusisë, ndaluan disidentin dhe e hipën atë në një furgon të errët, duke mos lejuar që ajo të mbërrinte në burgun e Moskës së bashku me demonstruesit e tjerë, ku ndodhej Aleksei.
E diplomuar në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ish-zyrtare e bankës, Yulia është 44 vjeçe, nga të cilat më shumë se njëzet, i ka kaluar së bashku me Navalnin, me të cilin kanë dy fëmijë.
Ajo ka përjetuar personalisht të gjitha problemet, nëpër të cilat ka kaluar kundërshtari kryesor i Putinit në karrierën e tij: nga sulmet fizike te problemet gjyqësore, deri te arrestimet, që konsiderohen të një natyre politike. Sidoqoftë, vëmendja botërore, erdhi vetëm me helmimin e dyshuar të burrit të saj në gusht të vitit të shkuar.
Ishte ajo që, duke fshehur emocionin pas një palë syzeve të errëta, informoi gazetarët për kushtet shëndetësore të kritikut të presidentit rus; ishte ajo që vuri në dyshim përfundimet e mjekëve të Omskut, të cilët, mbase nën presionin e autoriteteve, përjashtuan që Navalni të ishte helmuar; dhe ishte gjithashtu ajo, që i shkroi Putinit duke kërkuar, dhe përfundimisht duke marrë, transferimin e burrit të saj, për t’u dërguar më pas në një spital në Berlin të Gjermanisë.
Kur u zgjua nga koma, fjalët e para publike të Alekseit, ishin për gruan e tij: “Julia, ti më shpëtove”, shkruajti ai në Instagram.
Navalnaja ishte pranë burrit të saj gjatë rehabilitimit të tij të gjatë në Gjermani dhe sidomos kur ai u kthye në Rusi, madje, duke e ditur që një palë pranga po e prisnin.
Puthja që të dy shkëmbyen në aeroportin e Moskës, para se disidenti të detyrohej të ndiqte agjentët që e arrestuan atë, është tashmë një simbol i rezistencës ndaj shtypjes në Rusinë e Putinit.
A do të hyjë ajo në politikë dhe të kandidojë për zgjedhjet parlamentare në shtator? Askush nuk e di akoma.
Duke pasur dyshime, mediat pranë Kremlinit, kanë filluar ta përshkruajnë atë si një “projekt” nga Perëndimi për të ndërhyrë në punët e brendshme ruse, që është e njëjta etiketë që qeveria e Moskës përpiqet t’i vendosë Navalnit.
Dënimin e bashkëshortit të saj, ajo e ka cilësuar si një hakmarrje personale të Putinit. “Ai e bëri atë, sepse i trembet konkurrencës politike dhe dëshiron të qëndrojë në fron për gjithë jetën e tij. Ajo që po ndodh tani, është hakmarrje personale përmes drejtësisë. Kësaj duhet t’i jepet menjëherë fund”, – shkruajti ajo së fundmi në Instagram.
Yulia specifikoi se dhimbjet e shpinës së burrit të saj, “filluan një muaj më parë, në burgun ‘Matrosskaya Tishina’ (Moskë)”.
“Pasi u transportua atje, – shtoi ajo, – situata u përkeqësua. Gjetëm një mjek, i cili ishte i gatshëm ta vizitonte atë, avokatët dërguan kërkesa të ndryshme. Aleksei na ndaloi të flasim për këtë, në mënyrë që të mos duket se ai po ankohet “.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)














Lini një Përgjigje