Gazeta Si – Ndërsa kostot e energjisë në Evropë rriten, Rusia duket se po djeg sasi të mëdha të gazit natyror.
Sipas raporteve nga BBC, një fabrikë e vendosur në kufirin me Finlandën po djeg gaz për një vlerë prej 10 milionë euro në ditë.
Shkencëtarët janë të shqetësuar për vëllimet e mëdha të dioksidit të karbonit dhe blozës që po formohen, të cilat mund të përshpejtojnë shkrirjen e akullit të Arktikut.
Një analizë nga “Rstad Energy”, tregon se rreth 4.34 milionë metra kub gaz digjen çdo ditë në uzinën e gazit natyror të lëngshëm në Portovaya, në veriperëndim të Shën Petersburgut.
Shenjat e para se diçka nuk shkonte erdhën nga qytetarët finlandezë, të cilët në fillim të kësaj vere vunë re një flakë të madhe në horizont (lart fotoja e një shtetasi finlandez, Ari Laine, e realizuar rreth 38 kilometra nga Portovaya, raportuar nga BBC).
Portovaya ndodhet pranë një stacioni kompresori në fillim të tubacionit Nordstream 1, që transporton gaz nënujor në Gjermani.
Ndër hipotezat që do të shpjegonin faktin e djegies së gazit, sipas teknikëve, do të ishte hezitimi për mbylljen e impiantit, rihapja e mëpasshme e të cilit do të ishte teknikisht e vështirë dhe e kushtueshme ose vështirësia për të menaxhuar në mënyrë të sigurt sasitë e mëdha të gazit transmetuar në Nordstream 1.
Furnizimi përmes gazsjellësit është ndërprerë që nga mesi i korrikut, me rusët që raportojnë probleme teknike për kufizimin për shkak të luftës në Ukrainë.
Që nga qershori, studiuesit vunë re një rritje të konsiderueshme të nxehtësisë nga objekti për shkak të djegies së gazit natyror.
“Unë kurrë nuk kam parë një fabrikë të gazit të lëngshëm të ndizet kaq shumë”, tha Dr. Jessica McCarty, një eksperte e të dhënave satelitore në “Miami University” në Ohajo, SHBA.
“Që nga qershori, ne kemi parë këtë fluks të madh, i cili ka mbetur e lartë që atëherë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje