Kryeministri, Edi Rama ishte në Bratislavë të Sllovakisë ku mori pjesë në panelin e diskutimit mbi Ballkanin “Rrugët e Hapura: Ballkanasit sërish në biznes”. Gjatë fjalës së tij, ai foli për fondet që rajoni i Ballkanit Perëndimor merr nga Bashkimi Europian të cilat sipas tij janë 11 herë më të vogla sesa ato që jepen nga BE për vendet e Evropës Juglindore.
“Më lini ta nis me atë çfarë ndodhi në Europë dhe BE në përgjigje të krizës së madhe që goditi Europën por që na goditi edhe ne. Kjo shpjegon atë hendek të jashtëzakonshëm midis shteteve anëtare të BE dhe mes nesh, vendeve të Ballkanit Perëndimor Mes 2020 dhe 2021 mes disa paketave shumë të mëdha, BE dha 47.5 miliardë euro për shtetet anëtare. Ndërkohë që për ne u dha 1 miliardë për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave 500 milionë në grante. Këto ishin rishpërndarje e fondeve të IPA-s. Pra ajo që duhet të merrnim nga IPA për projekte të caktuara u rikonjektuan. Nuk po them se nuk ishte diçka e mirë por them që ishte një rishpërndarje. Pika e dytë që dua të përmend se dhënia e granteve nga BE për vendet e Europës juglindore do jetë 11 herë më e madhe se ajo që u dha për Ballkanin Perëndimor. Nga fondet e IPA-s marrim 90% ndihmë teknike dhe 10% investime. Fondet e synuara të kohezionit janë 92% dhe 0.3 % ndihmë teknike…”, renditi Rama, duke vijuar më pikën e tretë dhe të fundit.
“Pika e fundit që dua të përmend në shifra është se fondet e dhëna nga buxheti i BE-së midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor krahasuar me shtetet anëtare e BE-së, janë 138 euro për qytetar në Ballkanin Perëndimor dhe 4570 euro për qytetarët e BE. Kjo është situata ku gjendemi dhe kjo është arsyeja përse ne mendojmë që ky është një problem jetë a vdekje për ne dhe prandaj biem dakord me atë çfarë tha Ursula. Natyrisht që procesi i negociatave të anëtarësimit do të kërkojë kohë dhe nuk duhet nxituar, duhet të jetë një proces sistematik dhe i konsoliduar, por na duhet të marrim diçka më shumë dhe diçka duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore në marrëdhënien mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në qoftë se nuk duam të shohin Ballkanin Perëndimor të kthehet pas sërish”, tha ndër të tjera Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje