Politike

BE bie dakord, “zgjerimi” nuk do të hiqet nga samiti me Ballkanin në Slloveni

Vendet e Bashkimit Europian kanë rënë dakord paraprakisht që ta përfshijnë fjalën “zgjerim” në deklaratën përmbyllëse të samitit të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet ditën e mërkurë në Slloveni.

Drafti paraprak i deklaratës është qarkulluar që prej fillimit të muajit shtator në kancelaritë europiane dhe pak ditë më parë rrodhi në dokument nga EUObserver sipas të cilit vende si Holanda, Danimarka dhe Franca kishin shfaqur rezerva nëse fjalët “zgjerim” dhe “perspektiva e integrimit” për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhej përfshirë në tekst.

Teksti përfundimtar do të jetë në dorën e udhëheqësve të BE-së për t’u miratuar apo jo, por deklarata e dakordësuar deri më tani mban ende të gjalla shpresat e anëtarësimit për rajoni. Megjithatë, nuk është më sekret që kundërshtarët e zgjerimit në Bruksel janë bërë më të zëshëm, çka mund të çojë në dështim të daljes me një deklaratë përfundimtare në këtë samit.

Së fundmi, EUObserver publikoi një dokument sipas të cilit Franca dhe Gjermania po udhëhiqnin zërat për aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të lëvizjes së lirë për disa vende nën shqetësimet e abuzimit me këtë lëvizje dhe kërkesave të pabazuara për azil. Mes vendeve të përmendura në këtë dokument të brendshëm ishte edhe Shqipëria.

Ndërkohë, zgjerimi pritet që të mos jetë tema e vetme që do të diskutohet në këtë samit. Pandemia, fushata e vaksinimit, rimëkëmbja ekonomike dhe së fundmi edhe kriza energjitike që ka përfshirë Europën dhe Ballkanin do të zënë gjithashtu vend.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, që ka zhvilluar një tur takimesh në rajon dhe vendet e BE-së thotë se zgjerimi nuk është një ‘ëndërr e vdekur’ përkundrazi. Ai tha se zotimi i BE-së ndaj rajonit mbetet në fuqi dhe si shenjë për këtë përmendi ndihmën financiare të akorduar për gjashtë vendet e rajonit për rimëkëmbjen ekonomike, duke thënë se kjo ndihmë është sa një e treta e GDP-së së gjithë Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë