Bota

BE ndalon makinat me karburant pas 2035-s

makina elektrike

Parlamenti Europian miratoi vendimin historik për ndalimin e shitjes së makinave të reja me naftë e benzinë pas vitit 2035. Propozimi u miratua me 339 vota pro dhe me 249 kundër e 24 abstenime në një seancë në Strasburg.

Miratimi nuk është ende përfundimtar, por votimi i së mërkurës konfirmon qëndrimin e Parlamentit në negociatat që duhet të zhvillohen tashmë mes vendeve anëtare për ligjin përfundimtar.

Vota mbështet një shtyllë kyçe të planeve të BE-së për të ulur emetimet neto të ngrohjes së planetit me 55 për qind deri në vitin 2030. Automjetet aktualisht përbëjnë 12 për qind të të gjitha emetimeve të CO2 në BE, ndërsa transporti në përgjithësi zë rreth një të katërtën.

Qëllimi është të përshpejtohet kalimi drejt automjeteve elektrike dhe të inkurajohen prodhuesit e makinave që të investojnë shumë në elektrifikim, të ndihmuar nga një ligj tjetër i BE-së që do t’u kërkojë vendeve të instalojnë miliona karikues automjetesh nëpër rrugë.

“Blerja dhe drejtimi i makinave me emetim zero do të bëhet më i lirë për konsumatorët”, tha Jan Huitema, negociatori kryesor i parlamentit për politikën.

Përpjekjet për ta rrëzuar, apo ndryshuar ligjin dështuan. Të djathtët, që përbëjnë grupin më të madh parlamentar në PE kërkuan që të gjenin një kompromis me grupet e interesit. Por, amendimi i tyre u rrëzua.

Prodhuesit e makinave, duke përfshirë Ford dhe Volvo kanë mbështetur publikisht planin e BE-së për të ndaluar shitjet e makinave me motor me djegie deri në vitin 2035, ndërsa të tjerët, përfshirë Volksëagen, synojnë të ndalojnë shitjen e makinave me motor me djegie në Europë deri në atë datë.

Por, emailet e parë nga Reuters tregojnë se grupet e industrisë, përfshirë shoqatën gjermane të automobilave VDA, lobuan te ligjvënësit për të refuzuar objektivin e vitit 2035, për të cilin ata thanë se penalizonte karburantet alternative me karbon të ulët dhe ishte shumë herët si masë, duke pasur parasysh shtrirjen e paktë të infrastrukturës së karikimit.

Makinat elektrike dhe automjetet hibride me prizë përbëjnë 18 për qind të makinave të reja të pasagjerëve të shitura në BE vitin e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë