Rend dhe Ligj

BE i dhuron Shqipërisë pajisje moderne për Kufirin dhe Migracionin me vlerë 2.4 milionë euro

Gazeta Si – Pajisje me vlerë 2,4 milionë euro iu dorëzuan Policisë Kufitare dhe Migracionit nga Bashkimi Europian.

Bëhet fjalë për anije patrullimi, automjete vëzhgimi me sistem kamera vëzhgimi ditën e natën, mikrobusë më radarë, servis të lëvizshëm mirëmbajtjeje, si dhe dy radarë për bregdetin, një në Tale të Lezhës dhe tjetri në Dhërmi.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Dhërmi, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se sfida e përbashkët është hapja e kufijve sikundër Shqipëria ka bërë dhe menaxhimi i tyre në mënyrë të sigurt.

“Besoj se tashmë të gjithë jemi dëshmitarë të një realiteti krejt tjetër të Shqipërisë, një Shqipëri tërësisht e hapur për lëvizjen e lirë të mallrave, të njerëzve, dhe sidomos në periudhën e turizmit për të pranuar çdo njeri, që kërkon të kalojë pushimet në Shqipëri”, tha ministri Çuçi.

Ai solli në vëmendje bashkëpunimin me FRONTEX si një histori suksesi për të menaxhuar dhe kontrolluar kufijtë e Shqipërisë në mënyrë të sigurt.

Çuçi  shtoi Shqipëria është një vend partner i denjë i BE-së për ruajtjen dhe menaxhimin e kufijve gjeografikë të Europës, por edhe në bashkëpunimin mes policive europiane në luftën kundër krimit të organizuar. Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha gjatë fjalës së tij se vlerësoi ndihmën e partnerëve tanë për Policinë e Shtetit.

Ambasadorja e Delegacionit të BE, Christiane Hohmann, tha se ky projekt dhe gjithë bashkëpunimi me BE-në në tërësi ndihmon në përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim në union.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë