Ne rrjet

BE-Italisë: Na fal! 

Presidentja e  Komisionit Europian Ursula Von der Leyn i ka ofruar sot Italisë një “falje të përzemërt” që e “la në baltë” në fillim të pandemisë së koronavirusit.

“Por askush nuk ishte në të vërtetë gati për epideminë,” tha Ursula von der Leyen në një fjalim të para Parlamentit Europian të enjten në mëngjes. “Është e vërtetë që shumë prej nesh nuk ishin atje në kohën kur Italisë i duhej një ndihmëse që në fillim. Dhe po për këtë, është e drejtë që Europa si e tërë të ofrojë një falje të përzemërt.”

Më shumë se 21,000 njerëz kanë vdekur në Itali, duke shënuar kështu bilancin më  të rëndë nga koronavirusi në Europë.

Ndërsa Italia u përpoq të kontrollonte shpërthimin në fillim të marsit, Franca dhe Gjermania vendosën kufizime në eksportin e maskave të fytyrës, përkundër paralajmërimeve të Komisionit të BE-së se veprime të tilla mund të minonin përgjigjen kolektive ndaj virusit.

“Por një falje është e vlefshme vetëm nëse ajo ndryshon sjelljen. U desh shumë kohë që të gjithë të kuptojnë se ne duhet të mbrojmë njëri-tjetrin. Tani zemra e BE rreh për solidaritetin dhe qëndron krah atyre që duhe ndihmuar më shumë”, tha Von der Leyen.

Presidentja gjermane e Komisionit foli për egoizmin e atyre partnerëve, të cilët në fillim të krizës shëndetësore nuk e ndihmuan Italinë e goditur fort nga Covid 19 por edhe tha se për të mos dështuar përsëri duhet edhe solidaritet ekonomik.

Një javë më parë krerët e vendeve anëtarë diskutuan kërkesat e disa vendeve mesdhetare, Francës, Italisë dhe Spanjës  për të lëshuar Obligacione Rimëkëmbjeje për të parandaluar recesionin shkatërrues ekonomik nga koronavirusi.

Pak ditë më parë Ministrat e financave të BE kanë gjetur gjuhën për një marrëveshje të përbashkët në lidhje me një paketë financiare prej 500 miliardë euro për të mbështetur sistemin shëndetësor, ruajtjen e vendeve të punës, likuiditetet për bizneset dhe fondin për një plan ringjalljeje ekonomike.

Ndërkohë Ursula von der Leyen  së bashku me kreun e Këshillit Europian, Charles Michel, po punon për të arritur një marrëveshje midis udhëheqësve të shteteve të BE për eurobonondet.

“Askush nuk duhet të fajësohet për këtë krizë”, tha von der Leyen. Presidentja gjermane e Komisionit e cila dje tha se “Europës i duhet një plan Marshall për të dalë nga kriza e koronavirusit”, dhe se “investimet publike dhe private janë të nevojshme.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë