Ne rrjet

BE-ja kundër emigrantëve nga Afganistani: Të ngrihen baza në vendet fqinje

Bashkimi Europain është i vendosur për të ndalur me çdo kusht një valë refugjatësh nga Afganistani.
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian dolën të martën me një deklaratë të përbashkët, që thotë se blloku do të përpiqet të ndalojë fluksin e madh të refugjatëve nga Afganistani, duke rritur kontrollin në kufij dhe duke ofruar ndihmë vendeve fqinje të Afganistanit.

Deklarata e BE-së vjen kundër premtimeve të disa prej vendeve të unionit për pranimin e azilkërkuesve. Mijëra afganë janë larguar ose duan të largohen nga Afganistani, qëkur militantët talibanë kanë marrë kontrollin më 15 gusht.

“Bazuar në mësimet e nxjerra, BE-ja është e vendosur të veprojë së bashku, për të parandaluar përsëritjen e lëvizjeve të pakontrolluara të emigracionit ilegal në shkallë të gjerë”, thuhet në deklaratë. Ministrat po ashtu thanë se blloku do të preferonte të punonte me fqinjët më të afërt të Afganistanit, në përpjekje “për të forcuar kapacitetet e tyre për të siguruar mbrojtje dhe pritje dinjitoze për refugjatët”.

Talibanët kanë sunduar Afganistanin edhe në periudhën 1996-2001. Shumë afganë i kanë të freskëta kujtimet e ndëshkimeve të ashpra nga ajo kohë, ekzekutimet masive publike, ndalimin e shkollimit të vajzave e të tjera.

BE-ja tha se mbështetja për afganët mund të sigurohet për zhvendosjes në vendet fqinje, duke u dhënë përparësi personave të cenueshëm, siç janë gratë dhe fëmijët.

Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, tha se nuk pret që një numër i madh refugjatësh nga Afganistani të arrijnë në Evropë, nëse atyre që ikin nga vendi u sigurohet ndihmë.

Sa njerëz duhen evakuuar?

Se sa shtetas afganë duhet të nxjerrë BE-ja nga Afganistani, dhe se sa duan të largohen nga vendi i tyre, këtë as ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian nuk e dinë. Vetëm Gjermania përllogarit deri në 40 mijë vetë, ish-bashkëpunëtorë lokalë me familje, si edhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kanë si destinacion Gjermaninë. Këtë e bëri të ditur të martën kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Berlin, para një bisede me homologun e saj, austriak, Sebastian Kurz. Pjesa dërrmuese e tyre është ende në Afganistan.

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, premtoi se do të përpiqet të nxjerrë sa më shumë ish-bashkëpunëtorë të Gjermanisë dhe familjarë të tyre nga Afganistani. Sipas tij, ata nuk do të kenë nevojë të kalojnë procedurën e azilit, por do të pajisen me leje qëndrimi. E njëjta procedurë do të vlejë edhe për aktivistët për të drejtat e grave, gazetarët dhe gjyqtarët.

Kurse sa u përket refugjatëve që nuk janë drejtpërdrejt pjesë e stafit lokal, Bashkimi Evropian ndoshta do të jetë më pak bujar. BE-ja nuk dëshiron të premtojë ende se sa afganë, që kanë nevojë për mbrojtje, mund të sillen në mënyrë të rregullt në Evropë, direkt nga kampet e refugjatëve në Pakistan ose Iran. “Është ende herët për ta thënë këtë”, tha Komisionerja e BE -së, Ylva Johannson, e cila është përgjegjëse për migracionin. Johannson tha se do të organizojë së shpejti një forum migracioni, së bashku me SHBA, Kanadanë, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera, ku do të diskutohen ofertat konkrete.

“Unë nuk mendoj se bëjmë mirë të flasim që tani për shifra, sepse shifrat natyrisht shkaktojnë efekt tërheqës. Dhe ne nuk e duam këtë,” paralajmëroi Johannson. Emigrantët ndonjëherë inkurajohen të largohen nga vendi i tyre, vetëm sepse dëgjojnë se kanë shans që të pranohen si refugjatë. “
As ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, nuk dëshiron të pranojë më refugjatë nga Afganistani. “Qëndroni aty ku jeni. Ju do të ndihmoheni në rajon”, tha ai pas mbledhjes së ministrave të brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë