Politike

BE kërkon fushatë të qetë: Të shmanget retorika e incidentet!

Zyra e Bashkimit Europian dhe ambasadorët e vendeve anëtare të unionit në Tiranë u bëjnë thirrje partive politike që të zhvillojnë një fushatë të qetë, gjithëpërfshirëse, të shmanget retorika dhe incidentet dhe të përqëndrohen tek shpalosja para shqiptarëve e ofertave të tyre politike qeverisëse.

“Një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe ambasadorëve të vendeve anëtare.

Mesazhi bën thirrje që zgjedhjet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe i mëshon rëndësisë që ka respektimi i rezultatit të tyre, për të siguruar legjitimitetin e Asamblesë dhe qeverisë së re.

“Ne kemi besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, vijon letra.

Qytetarëve u kërkohet që të dalin masivisht të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, por duke respektuar masat kundër pandemisë, ndërsa kujtohet se zgjedhjet do të jenë nën vëzhgimin imtësishëm të partnerëve.

“Komuniteti ndërkombëtar po e mbështet dhe po e monitoron në mënyrë aktive të gjithë procesin e përgatitjes dhe kryerjes së zgjedhjeve, para së gjithash përmes misionit të ODIHR-it. Po ashtu, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së do të vizitojnë një numër të madh vendvotimesh ditën e zgjedhjeve. Ne qëndrojmë me vendosmëri me Shqipërinë në rrugën e pranimit të saj në BE”, mbyllet deklarata.

Ky mesazh i paraprin me disa orë hapjes zyrtare të fushatës nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Dy forcat kryesore pritet që të mbledhin vetëm kandidatët për deputetë në 12 qarqet e vendit në kryeqytet pasditen e kësaj të enjte, mazhoranca në Sheshin Skënderbej, ndërsa opozita në Sheshin Nënë Tereza.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë