Bashkimi Europian i është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kërkesën për kandidatë të pastër në zgjedhjet e 25 prillit , të cilat po shihen si një test nga unioni përpara hapjes de facto të negociatave me Shqipërinë.
I pyetur nga Gazetasi.al, Komisioni Europian thotë se pret që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe se Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varheley i ka kërkuar gjatë takimit të fundit kryeministrit Edi Rama vendosjen në lista të kandidatëve me integritet.
“Në presim që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta. Ne e kuptojmë se përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme janë në proces. Si Përfaqësuesi i Jashtëm, Josef Borrell, ashtu edhe Komisioneri Várhelyi i inkurajuan autoritetet shqiptare të ndjekin më tej rekomandimet e OSBE / ODIHR si dhe ato të Komisionit të Venecias dhe theksuan nevojën për të gjithë për të siguruar që listat e kandidatëve të përbëhen nga njerëz me integritet”, deklaroi për Gazetasi.al zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.
“Shqipëria inkurajohet të vazhdojë me zbatimin e reformave gjatë periudhës parazgjedhore”, i thotë ajo Gazetës.

Pavarësisht se nuk ka një datë për negociatat, Komisioni Europian thotë se kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare mbi negociatat e pranimit në BE me Shqipërinë janë përmbushur, duke theksuar në veçanti funksionalitetin e Gjykatën Kushtetuese.
“Ne kemi vlerësuar reformën zgjedhore të miratuar më 23 korrik, e cila zbatoi marrëveshjen historike të 5 qershorit, në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR. Reforma zgjedhore është në zbatim e sipër, pasi Komisioni i Venecias dha mendimin e tij dhe pasi ndryshimet teknike u miratuan nga parlamenti në dhjetor”, thotë Komisioni.
Komisioneri Várhelyi dhe Shefi i Politikës së Jashtme, Borrell në konferencën e fundit për shtyp me kryeministrin Rama deklaruan se konferenca e parë ndër-qeveritare duhet të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, Parlamenti Europian ka theksuar se disa shtete anëtare, sidomos ato skeptike, duan të shohin se si do të zhvillohet procesi zgjedhor në 25 prilli dhe më pas të vendosë për nisjen e bisedimeve.
Komisioni për politikë të jashtme të Parlamentit Eropian miratoi të shtunën raportet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ku kërkoi që për të dyja shtete të nisin negociatat e anëtarësimit. Eurodeputetë kanë kërkuar që zgjedhjet e muajt prill në Shqipëri të zhvillohen sipas standardeve demokratike, duke nënvizuar se ato do të jenë një test për konsolidimin e procedurave demokratike në vend dhe arritjes së stabilitetit të qëndrueshëm politik. Deputetët e Parlamentit Europian kanë kërkuar po ashtu që reformat në sistemin e drejtësisë të jenë të pakthyeshme sepse ato janë një prej kushteve kryesore për përparim në procesin e integrimeve.
PE theksonte në raportin për Shqipërinë, se disa vende anëtare duan të shohin më shumë përparim në reforma, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit por edhe sesi do të mbahen zgjedhjet e ardhshme.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka ngritur vazhdimisht çështjen e dekriminalizimit, duke bërë drejtpërdrejtë përgjegjës kryetarët e partive për verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë. Pasi kërkoi ndalimin e kandidimit të Tom Doshit, Ambasadorja deklaroi se lista e kandidatëve që u dorëzua nga partitë brenda së hënës është një test për udhëheqësit politikë shqiptarë.
“Nëse e kanë marrë e kuptuar mesazhin e ShBA, nëse janë të përkushtuar drejt anëtarësimit në BE dhe nëse janë të gatshëm për vendime të vështira, por të nevojshme për një të ardhme më shumë demokratike dhe të zhvilluar për Shqipërinë. Presim nga kryetarët e partive të tregojnë udhëheqësi të vërtetë”, shkroi përmes rrjeteve sociale ambasadorja Kim. Ambasadorja ka përsëritur thirrjen se jashtë listave nuk duhen lënë vetëm emrat që ndalohen nga ligji i dekriminalizimit, por edhe emrat që u ndalohet hyrja në SHBA për përfshirje në afera madhore korruptive. “ ShBA kanë qenë shumë të qarta lidhur me përgjegjësinë e udhëheqësve për të siguruar kandidatë të pastër, përfshi në lidhje me ligjet e Shqipërisë dhe përcaktimet e bëra nga Sekretari Amerikan i Shtetit “, u shprehet Kim pak orë para se partitë të dorëzonin listat në KQZ.
Zgjedhjet e 25 Prillit kanë qënë edhe kryefjala e takimit që kryeministri Edi Rama ka pasur me përfaqësuesit e Bashkimit Europian më 1 mars. Borrell dhe Várhelyi sinjalizun të dy se zgjedhjet e ardhshme do t’i shtohen listës së kushteve të vendosura nga unioni për hapjen e negociatave me vendin tonë.

Borrell kërkoi nisjen e proceseve gjyqësore kundër atyre që akuzohen për blerjen e votës, duke thënë se ky është një kusht në miratimin e kuadrit negociues.
“Në zgjedhjet e 25 prillit, theksojmë që emrat e kandidatëve të jenë me integritet, është një nga aspektet kyçe, ne kemi një mesazh për të gjitha palët politike, integrimi në BE duhet të jetë një objektiv i të gjithëve, polarizimi i skajshëm nuk është i mirë dhe nuk është në interesin e shqiptarëve”, tha Borrell, duke kërkuar edhe hetime të plota për shit-blerjen e votës.
“Sa i takon çështjes specifike të blerjes së votës, raporti i fundit i Komisoinit për Shqipërinë theksoi rëndësinë e një hetimi të plotë dhe transparent të akuzave. Vendimi i këshillit në mars 2020 theksojnë se nisja e proceseve gjyqësore për ata të blerjes së votës duhet shikuar”, deklaroi ai.
Borrell pranoi se Bashkimi Europian nuk ka ende një datë për mbajtjen e konferencës së parë qeveritare, duke deklaruar se disa vende janë ende skeptike për Shqipërinë dhe po kërkojnë më shumë kohë.
“Nuk ka ende një datë për konferencën e parë ndërqeveritare, kemi shprehur dëshirën që kjo konferencë të ndodh sa më shpejt, deri më tani nuk kemi një datë të caktuar, pavarësisht faktit që Shqipëria ka bërë shumë ecuri, disa shtete anëtare janë të mendimit që duhet bërë më shumë për të organizuar kjo konferencë”, tha Borrell.
Krah tij, Komisioni Varhelyi pranoi përparimin e Shqipërisë, por e vuri po ashtu theksin tek zgjedhjet duke theksuar rëndësinë e zbatimit në terren të atyre që janë arritur nga forcat politike në Shqipëri. I pyetur për shit blerjen e votës, ata tha se BE do të shikojë në terren se ç’masa do të të merren. Xhuliana Toci
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje