Ne rrjet

BE: Kosova nuk mund të aplikojë për anëtarësim në union

Edhe pse flet prej vitesh për perspektivën europiane të Kosovës, Bashkimi Europian ka njoftuar sot se Kosova nuk do të mund të aplikojë për anëtarësim në union.

Deklarata erdhi nga Peter Stano, zëdhënës për çështjen e Politikës së Jashtme dhe Siguri, dhe zëdhënës i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, duke deklaruar në mënyrë të prerë se Kosova nuk është shtet dhe nuk mund të aplikojë për integrim.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Stano deklaroi se pavarësisht zotimeve në dokumentet e nënshkruara në Bruksel dhe Uashington, anëtarësimi nuk do të mund të ndodhë së shpejti

“Sa i përket pyetjes se a do të mund Kosova të aplikojë për anëtarësim në BE, kam frikë se më duhet tua rikujtoj faktin se janë ende pesë shtete anëtare të cilat nuk e kanë njohur. Kosova nuk është ende në gjendje të bëjë aplikimin formal për anëtarësim në BE”, deklaroi ai. “Kosova, megjithatë, ka një perspektivë të qartë evropiane”.

 Ai e ka quajtur dialogun dhe normalizimin e raporteve me Serbinë si një proces që është i ndërlidhur me integrimin në BE për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, dhe se asnjëra nuk mund të hyjë në BE në fazën finale pa i normalizuar raportet.

Sipas mediave në Kosovë, ky është një sinjal që Prishtina nuk trajtohet si shtet sovran dhe i pavarur nga BE-ja.

Unioni duket se ka dërguar një sinjal negativ në Kosovë që pas zgjedhjes së  përfaqësuesit të posacëm, Mirosllav Lajcak për dialogun. Vendi i tij Sllovakia është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, për arsye plotësisht të brendshme. Spanja, ish-ministri i jashtëm i së cilës, Josep Borrell, u emërua në krye të politikës së jashtme të BE-së në dhjetor, është një tjetër vend që nuk e njeh Kosovën.

Kjo do të thotë që dy diplomatët e lartë të BE-së që merren me Kosovën do të vijnë nga vendeve anëtare që nuk e njohin. Ata do të mbikëqyrin bisedimet, përfundimi i së të cilave duhet të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Në Prishtinë, kjo ka dërguar një sinjal të fortë se BE po mban anën e Beogradit dhe po pengon seriozisht rigjallërimin e Bashkimit të politikës së saj të zgjerimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë