Bashkimi Europian ka ndarë më shumë se 14 miliardë euro për reformat e sponsorizuara nga unioni në Ballkanin Perendimor. Negociatorët e Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës kanë arritur së fundmi një marrëveshje për fondet që do jepen vendeve të rajonit gjatë periudhës 2021-2027.
Instrumenti për Ndihmën e vendeve aspirante dhe kandidate Para-Anëtarësimit (IPA III), do të ketë një buxhet prej 14.2 miliardë eurosh dhe do të mbështesë zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja në Shqipëri, Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi si dhe Turqi.
BE po ashtu do të vendosë të kushte më të forta të financimit dhe kontroll më të fortë për përdorimin e fondeve. Qëllimi i kësaj paketë është të ndihmojë vendet kandidatë të plotësojnë kushtet e lidhura me demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Por BE ka parashikuar pezullimin e ndihmës në rast regresi në reformat demokratike.
Sipas BE-së, Fondet e “IPA III” do të ndihmojnë po ashtu vendet si Shqipëria në luftën kundër keqinformimi dhe ndryshimeve kliamatike, mbrojtjen e mjedisit, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Ai parashikon gjithashtu përmirësimin e koordinimit midis donatorëve dhe forcimin e proceseve të konsultimit me organizatat e shoqërisë civile dhe autoritetet lokale dhe rajonale.
Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme, David McAllister tha se kjo marrëveshje e shumëpritur politike është një lajm i shkëlqyeshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. “Ajo hap rrugën për një qeverisje më të mirë, për më shumë koherencë dhe transparencë në financimin e jashtëm dhe është një pikë kritike në politikën tonë të zgjerimit, me synimin e rikuperimit nga pandemia.”
Eurodeputetja kroate Zheljana Zovko tha se marrëveshja siguron financimin e vazhdueshëm për politikën e zgjerimit. “Ky fond ka potencialin të lehtësojë reformat demokratike në vendet e rajonit dhe t’i sjellë ato më pranë BE-së, përmes një plani ambicioz ekonomik dhe investimesh dhe një axhende të gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, thotë ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje