Komunitet

BE njeh certifikatat e vaksinimit të Maqedonisë, Turqisë e Ukrainës. Shqipëria ende jashtë

Duke filluar nga kjo e premte Bashkimi Europian do të njohë në bllok certifikatat digjitale të vaksinimit për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Turqisë dhe Ukrainës.

Komisioni Europian miratoi ditën e enjte vendimin për njohjen e certifikatave të lëshuara nga këto vende. Kjo do të thotë se certifikatat e sigurisë së Covid të lëshuara nga Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Ukraina, që do të lidhen me sistemin e BE-së, do të njihen në të gjithë hapësirën e unionit.

Në të njëjtën kohë, edhe Turqia, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut do të njohin certifikatat e sigurisë të lëshuara nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Komisioni thotë se pjesëmarrja në sistemin e sigurisë së lëshimit të këtyre certifikatave do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve të të dyja palëve.

Megjithatë, për shtetasve turq, ukrainas dhe maqedonas BE do të njohë në bllok vetëm certifikatat e sigurisë për personat e vaksinuar me një nga vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA), që janë AstraZeneca, Pfizer dhe Johnson&Johnson.

Për certifikatat e sigurisë të vaksinave të tjera, si kinezja Sinovac dhe rusja Sputnik V, Komisioni u lë dorë të lirë vetë vendeve anëtare që të vendosin për njohjen ose jo të tyre. Me këtë vendim të Komisionit, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina u bashkohen vendeve të treta joanëtare të BE, si Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia, San Marino, Zvicra dhe Vatikani.

Certifikata digjitale e Covid detyron të gjitha vendet anëtare të BE që ta njohin atë, duke ndihmuar në lehtësimin e kufizimeve për mbajtjësit e tyre. Gjatë udhëtimit, mbajtësi i kësaj certifikate parimisht duhet që të përjashtohet nga kufizimet e lëvizjes së lirë.

Certifikatave e sigurisë u jepet personave të vaksinuar plotësisht, atyre që rezultojnë negativ në një testim të kryer në 72 orët e fundit, apo që e kanë kaluar Covid. Dokumenti i lëshuar në formë digjitale duhet të përmbajë një kod skanimi, që të adresojë automatikisht autoritetet e BE gjatë kontrolleve të mundshme në faqen zyrtare të institucioneve të vendeve që e kanë lëshuar.

Ndërkohë, Shqipëria lëshon certifikata sigurie vetëm për personat e vaksinuar, por që ka hasur probleme në kodin e skanimit dhe lidhjes së tij me e-Albania. Certifikatat e lëshuara nga Shqipëria nuk njihen në bllok nga BE, por një pjesë e vendeve, si Greqia dhe Hungaria i njohin si vendime individuale të tyre. Këto vende njohin edhe vaksinën Sinovac e Sputnik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë