Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Europian u bën thirrje partive politike shqiptare që të përmbyllin pa pengesa procesin e numërimit dhe të pranojnë rezultatin e dalë prej tij.
“Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira në procesin e numërimit të votave të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin efikas dhe demokratik të institucioneve në vend si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik për të respektuar rezultatin e zgjedhjeve”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së Josef Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhely.
Dy zyrtarët e Brukselit thonë se kjo është e vetmja rrugë për të garantuar funksionimin e institucioneve demokratike në vend, ndërsa apelojnë që çdo parregullsi të adresohet tek organet përkatëse shtetërore, që nga KQZ e deri tek gjykatat. Për këtë pjesë, Borrell dhe Varhelyi i referohen raportit fillestar të misionit të OSBE/ODIHR.
“Zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të mirëorganizuara, ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse. Komisioni Qendror Zgjedhor i reformuar mbikëqyri procesin në mënyrë transparente. Vëzhguesit raportuan shqetësime të lidhura me keqpërdorim të resurseve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”, vijon deklarata.
BE bën thirrje që periudha e tranzicionit të Parlamentit dhe Qeverisë së re nuk duhet të bëhet pengesë për vijimin e reformave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje