Bashkimi Europian ka dalë më mbështetje të propozimit të Presidencës shqiptare të OSBE-së, që është vetëofruar për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës që ka pëërfshirë Bjellorusinë pas zgjedhjeve të 9 gushtit.
Brukseli, që nuk e njeh rezultatin e këtyre zgjedhjeve ku Presidenti Aleksandër Lukashenko fitoi 80 për qind të votave, thotë se është i gatshëm që të ndihmojë në përpjekjet për të lehtësuar në mënyrë paqësore dhe gjithpërfshirëse procesin e dialogut të mundshëm mes qeverisë dhe opozitës në ish-republikën Sovjetik.
Përveç kësaj, Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Rusisë, që si vend anëtar i OSBE-së të mos bëhet pengesë në përpjekjet për ndërmjetësim të kësaj organizate.
“BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t’i çuar më tej nëse kërkohet. Si një shtet anëtar i OSBE-së shpresojmë që Rusia të ketë një ndikim pozitiv në mbështetjen e propozimeve të tilla”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Europian.
Një ditë më parë, Ambasada Ruse në Tiranë ka dalë me një deklaratë ku njoftonte bisedën telefonike të zhvilluar mes Edi Ramës, në cilësinë e Presidentit të OSBE-së dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Sipas Ambasadës Ruse në këtë telefonatë, kryediplomati rus i ka kërkuar Edi Ramës që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Bjellorusisë, duke mos mbështetur nismën e tij për të ndërmjetësuar dialogun mes palëve.
Megjithatë, mbështetja për këtë oferta ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se Uashingtoni vlerëson ofertën e Presidencës së OSBE-së për të ndërmjetësuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës në Bjellorusi dhe bëri thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje