Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur të martën në drejtimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj
Këshilli kishte në fokus gjendjen e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë
“Një vit më parë, ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike. Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre ndaj dhe vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet”, është shprehur Begaj gjatë mbledhjes.
Sipas tij, ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne
“Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar. Një vit pas sulmeve është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike…”, tha ai.
Pas mbledhjes u përcoll edhe një njoftim për shtyp.
“Në këtë takim u bë një analizë e gjendjes së sigurisë kibernetike dhe masat e marra nga institucionet për forcimin e mbrojtjes kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
Nga raportimet e institucioneve dhe diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar konstatohet se përgjatë një viti është bërë progres në forcimin e kapaciteteve dhe mbrotjes kibernetike në vend.
Republika Islamike e Iranit e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kërcënuese dhe sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar dhe më komplekse.
Institucionet AKSHI dhe AKCESK dhe institucionet e tjera do vijojnë bashkëpunim me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n, si dhe vende të tjera partnere dhe aleate për forcimin e mbrotjes kibernetike.
Do vijojmë me përmirësimet e duhura ligjore, investimet në teknologji, arsimimin, trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike për krijimin e kultura së sigurisë kibernetike”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.
“Sfidat që po kalojmë sot janë me spektër të gjerë. Në këtë takim të sotëm, u diskutua edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare, të cilat janë kryesisht të lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani, qofshin këto në formën e propagandës apo formave hibride.
Institucionet ligjzbatuese dhe ato përgjegjëse në fushën e sigurisë kombëtare do vlerësojnë dhe informojnë në mënyrë të vijueshme partnerët dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani dhe vendosmërinë e Shqipërisë se nuk do të lejojë aktivitetin e asnjë individi apo grupi në dëm të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Institucionet të bëjnë vlerësimin e kërcënimit dhe rrezikut dhe do të marrin masa për forcimin e kapaciteteve të mbrotjes kibernetike, mbrojtjes ajrore, forcimit të strukturave të inteligjencës për grantimin e sigurisë kombëtare”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje